Konjufca: Faik Rexhepi, simbol i rezistencës ndaj dhu*nës serbe

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen Rexhepi, me rastin e vdekjes së simbolit të protestës kundër regjimit serb, Faik Rexhepi. “Me aktin e tij autentik, Faik Rexhepi shënoi një çast sublim e të përjetshëm të popullit tonë kundrejt forcave pushtuese serbe. Për fat të mirë, atë çast e gjejmë në

Konjufca: Faik Rexhepi, simbol i rezistencës ndaj dhu*nës serbe

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen Rexhepi, me rastin e vdekjes së simbolit të protestës kundër regjimit serb, Faik Rexhepi.

“Me aktin e tij autentik, Faik Rexhepi shënoi një çast sublim e të përjetshëm të popullit tonë kundrejt forcave pushtuese serbe. Për fat të mirë, atë çast e gjejmë në një fotografi të paharrueshme, tek e cila do të jetojë gjithmonë shpirti dhe kujtimi i tij”, thuhet në telegramin e Konjufcës.

Tutje ai ka theksuar se ky gjest politik i Rexhepit, bëri që të shihej dhuna e regjimit serb.

“Me gjestin e tij politik, Faiku ekspozoi në sytë e të gjithëve ilegjitimitetin dhe arbitraritetin e dhunës së regjimit të Serbisë në Kosovë.  Ai çast na ka bërë të gjithëve krenarë, e na ka dhënë fuqi në shpirt. Do ta kujtojmë gjithmonë, sepse me aktin e tij frymëzoi sa e sa të tjerë përbrenda përpjekjes sonë të gjatë për liri”, ka thënë Konjufca.

Faik Rexhepi me veprimin e tij u shndërrua në simbol të rezistencë kundër Sllobodan Millosheviqit. Ai punonte në ndërmarrjen “Feronikeli” në Drenas dhe në gusht të 90-ës bashkë edhe me kolegët e tjerë kishin dalur që ta prisnin një delegacion të Kongresit amerikan. Me këtë rast, policia serbe kishte ndërhyrë ashpër, duke tentuar që ta shpërndante masën.

Por, i vetmi që nuk kishte lëvizur nga vendi ishte Faiku, i cili u ul këmbëkryq midis turmës. Kohë më parë në vendin ku ai protestoi u vendos një monument që u quajt “Burri që s’luajti vendit!”, në shenjë nderimi për veprën e tij.