Kosova shkon në zgjedhje nën masa të BE-së/ Opozita: Masat hiqen me largimin e Kurtit
Kosova tash e gati dy vite është nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE), duke ia ndaluar kështu gjitha mjetet financiare për Kosovën dhe pakon e ndihmave. Masat ishin vendosur për shkak të disa veprimeve të Qeverisë, megjithatë kjo e fundit e ka ripërsëritur disa herë se kërkesat e BE-së për heqjen e masave, janë përmbushur

Kosova tash e gati dy vite është nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE), duke ia ndaluar kështu gjitha mjetet financiare për Kosovën dhe pakon e ndihmave.
Masat ishin vendosur për shkak të disa veprimeve të Qeverisë, megjithatë kjo e fundit e ka ripërsëritur disa herë se kërkesat e BE-së për heqjen e masave, janë përmbushur nga ana e shtetit të Kosovës.
Për opozitën kosovare, masat e BE-së mund të largohen, siç thonë ata, me largimin e Qeverisë Kurti, derisa po ashtu besimi i SHBA-së ndaj Kosovës do të rikthehet pas largimit të kësaj qeverie.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës. Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen këtë të diel, më 9 shkurt 2025.
Hoxhaj: Masat e BE-së largohen me largimin e Qeverisë Kurti dhe rikthehet besimi i SHBA-së ndaj Kosovës
Ish-shefi i diplomacisë kosovare, aktualisht kandidat për deputet nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, për FrontOnline, thotë se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës largohen, kur në Kosovë largohet Qeveria Kurti.
‘’Sanksionet largohen kur në Kosovë largohet Qeveria Kurti’’ tha ai.
Po ashtu, ai tha se SHBA do ta rikthejë besimin mbi Kosovën, gjithashtu kur të largohet nga pushteti Albin Kurti, kryeministri aktual i vendit.
‘’Amerikanët e rikthejnë besimin në Kosovë, gjithashtu kur largohet Albin Kurti’’ u shpreh Hoxhaj.
Sipas tij, qytetarët me 9 shkurt 2025 duhet ta bëjnë ndryshimin e qeverisjes së tyre.
‘’Me 9 shkurt është ditë e mirë për të bërë ndryshimin. Kjo është çështje jo vetëm e politikës së jashtme por edhe të brendshme dhe qytetarët e kanë në dorë ta bëjnë ndryshimin” tha Hoxhaj.
Ymeri i LDK-së: Qeveria Kurti nuk mund ta ndryshojë kursin ndaj aleatëve ndërkombëtar, qytetarët ta bëjnë ndryshimin
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Bajrush Ymeri, për FrontOnline, thotë se përveç masave të BE-së, Kosovës i janë shtuar edhe ato nga SHBA-të.
‘’Si duket pasojat po i ndodhin shtetit tonë. Përveç sanksioneve nga BE tash edhe nga Amerika’’ tha ai.
Sipas tij, Kosova është goditur edhe me atë kur serbëve të Kosovës i janë njohur pasaportat e lëshuara nga shteti serb, pas liberalizimit të vizave për Kosovën.
‘’Goditje e rëndë ka ndodhur kur janë njohur pasaportat për qytetarët serbë që janë lëshuar nga shteti serbë në shtetin tonë’’, tha ai.
Ymeri, potencon se nëse për katër vite Qeveria Kurti i ka sjellë këto gjëra për Kosovën, ai shprehet se po ashtu kjo Qeveri nuk do të mund të e ndryshoj kursin karshi partnerëve ndërkombëtar.
‘’Këta i kishin katër vite qeverisje dhe i sollën këto raporte unë nuk besoj se këta e ndryshojnë kursin dhe të veprojnë ndryshe. Qytetarët duhet të analizojnë dhe veprojnë menqur dhe kjo Qeveri nëse udhëheq do të vazhdojë me kursin e njejtë’’ tha ai.
Gërxhaliu: Masat e BE-së e dëmtuan rëndë Kosovën, me vazhdimin e tyre do të ketë tkurrje të investimeve
Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve të ekonomisë, për FrontOnline thotë se agjenda politike ka qenë në Kosovë ajo që ka dominuar viteve te fundit në këtë drejtim kemi pas sanksione nga BE.
‘’Agjenda politike ka qenë në Kosovë ajo që ka dominuar viteve te fundit në këtë drejtim kemi pas sanksione nga BE që kanë lënë gjurmë negative dhe në të ardhmen do ti kthehet në kontekst negativ Kosovës. Me këtë diplomaci është e pamundur dhe këtë agjendë çfarë e ka Qeveria aktualisht të zgjidhet ky problem dhe këto sanksione ti kalojnë të kaluarës’’, thotë ai.
Sipas Gërxhaliut, Kosova ka pasur mos performancë dhe ngecje në ngritjen e kapaciteteve të shumta institutcionale.
‘’Kemi mos performancë dhe ngecje në ngritje të kapaciteteve të shumta institucionale se të gjitha ato kanë qenë të financuara nga fondi i BE dhe ato më nuk janë, është i bllokuar edhe sektori privat në mënyrë direkte e indirekte, sepse kemi ngrirje të projekteve të investimeve kapitale dhe kjo po e dëmton aktivitetin ekonomik-politikosocial e integrues në Kosovë’’, tha ai.
Për vendosjen e masave nga SHBA, Gërxhaliu e quan moment të pavolitshëm për Kosovën.
‘’Kemi edhe masat e SHBA-së që kanë me një ngrirje për 90 ditë dhe këto masa Kosovën po e gjejnë në një pozitë të palakmueshme sepse jemi ndër vendet më të pakëta që kemi edhe sanksione nga BE edhe masa të ndihmave nga SHBA është një moment i pavolitshëm’’ thotë ai.
Sipas tij, me vendosjen e masave do të ketë tkurrje të investimeve dhe projekteve.
‘’Duhet të jetë një obligim për Qeverinë që të bëjë më tepër që mos të jetë dominonte vetëm për agjenda dhe kampanja zgjedhore dhe të mendohet më tepër për shtet dhe për të mbështetur institucionet vendore se jemi duke u ballafaquar me një problem të madh se do kemi tkurrje në investime, projekte, përformanca të administratës veçanti të gjyqësorit se USAID ka qenë donatori kryesor por kemi edhe goditje të sektorit privat se shumë kanë qenë të mbështetur në projekte amerikane kjo do të ndikojë në përformanc e prodhim dhe tkurrje të vendeve të punës’’ u shpreh ai.