KOSOVËN PO E MBAJNË PENG RRËNUESIT E SHTETIT

Shkruan: Xhafer Shatri
Zgjedhja e kryetarit të shtetit, që politika përdhunisht e quan president, është bërë shkaku kryesor që Kosova nuk po mund ta përmbyllë normalisht asnjë proces zgjedhor.
Kjo pastaj po krijon ngërç pas ngërçi, ndërkohë që vendi ka nevojë për qeverisje me mandat efektiv dhe për institucione të besueshme e të qëndrueshme, që pasqyrojnë vullnetin e popullit.
Problem është artificial, i krijuar qëllimisht, përmes nenesh kushtetuese, që Kosova të mos bëhet kurrë shtet funksional.
Kjo u leverdis elitave të sajuara politike, që po jetojnë me privilegje të pamerituara, qofshin në pozitë ose në opozitë. Por më së shumti i levërdisë Serbisë në përpjekjet e saj të shumanshme për ta shpartalluar shtetin tonë.
Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për ta zgjidhur këtë problem: një marrëveshje politike që kryetari i Kosovës të zgjidhet me votat e qytetarëve. Drejtpërdrejt. Dhe u krye puna.
Ta futësh vendin në krizë ciklike për mungesë të një vendimi kaq të thjeshtë, është pak ta quash papërgjegjësi.
Kryetari i shtetit nuk mund të jetë objekt pazaresh nëpër tavolinat e bixhozxhinjve politikë. Sepse ai ushtron një funksion të rëndësishëm e me shumë kompetenca për vendin. Prandaj edhe domosdoja e zgjedhjes së tij përmes votës së qytetarëve.
Çka mund të thuhet për elitat politike që nuk janë të gatshme ta bëjnë as kaq “sakrificë“ për Kosovën? Dhe fundja kujt i shërbën më së shumti kaosi i vazhdueshëm institucional në Kosovë?
Serbisë, natyrisht. Sepse forcon tezën e saj tejshekullore “se shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë shtet“.
Sot bota është në një gjendje kaotike, pa udhëheqje e pa busull. Në Evropë prej katër vjetësh po vazhdon një luftë për jetë a vdekje, në të cilën marrin pjesë mbi dyqind milionë njerëz, me rreziqe serioze e reale për t’u zgjeruar.
Kosova është në gjendje lufte me Serbinë, sepse kjo po na kërcënon rregullisht përmes manovrave ushtarake afër kufirit apo me shpërfaqje të armatimit modern, të blerë enkas për luftë kundër shqiptarëve.
Serbia po na kërcënon edhe me ndaljen e ujit, elementit kryesor për jetën mbi tokë. Ky kërcënim, në fakt, është akt lufte kundër popullit e shtetit tonë.
Prandaj, ta lësh vendin pa institucione në kohë kaq të turbullta nuk është papërgjegjësi, por diversion gjakftohtë e publik që vë seriozisht në rrezik çdo gjë që kemi sot.
Mbi të gjitha, Lirinë, tërësinë territoriale dhe Pavarësinë.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



