Ja kush do të kryesojë Panelin e Apelit në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Gjyqtarja franceze Michele Picard do të kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit në procedurën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përbërja e Panelit të Apelit është bërë e ditur më 29 shtator, në kuadër të vendimeve të marra për zhvillimin e procedurës së apelit dhe pjesëmarrjen e viktimave.
Paneli përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, ndërsa Picard është përcaktuar si kryesuese e tij. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se ky panel është caktuar për të shqyrtuar çështjet që lidhen me njoftimet e apelit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
Zhvillimi vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan përkatësisht me 25, 18, 13 dhe 25 vjet burgim.
Afati për ankesat, 27 nëntori
Më 29 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e ekipeve të Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel.
Të njëjtën zgjatje e ka përfituar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa 27 nëntori 2026 është përcaktuar si afati për dorëzimin e njoftimeve për apel nga Mbrojtja dhe ZPS-ja.
Sipas Dhomave të Specializuara, ekipet e Mbrojtjes së katër të akuzuarve kishin paraqitur më 22 shtator kërkesë të përbashkët për zgjatjen e këtij afati.
Përcaktohen edhe modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave
Në një vendim tjetër të 29 shtatorit, Paneli i Apelit ka përcaktuar mënyrën e pjesëmarrjes së viktimave në procedurën e apelit.
Paneli ka vendosur që të zbatohet një regjim i ngjashëm me atë të përdorur gjatë gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet që kërkon faza e apelit.
Pjesëmarrja e viktimave do të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe nuk duhet të cenojë të drejtat e të akuzuarve.
Viktimat do të vazhdojnë të përfaqësohen përmes Mbrojtësit të Viktimave, ndërsa ky i fundit do të ketë qasje në materialet e dosjes së çështjes, përfshirë parashtresat, transkriptet dhe materialet provuese, në përputhje me rregullat përkatëse të konfidencialitetit.
The post Ja kush do të kryesojë Panelin e Apelit në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



