Kurti e Abdixhiku takohen pas refuzimit të 6 deputetëve të LDK-së për votimin e Bekim Sejdiut për president

Kurti e Abdixhiku takohen pas refuzimit të 6 deputetëve të LDK-së për votimin e Bekim Sejdiut për president

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, takohen përsëri sot.

Kështu ka mësuar KALLXO.com përmes burimeve.Ky takim vjen një ditë pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për të votuar kandidatin e propozuar të LVV-së dhe LDK-së për president, Bekim Sejdiu.LVV dhe LDK kishin arritur një marrëveshje më 31.08.2026 për të propozuar Bekim Sejdiun si president të vendit.

Kryetari i LDK-së më 01.09.2026 njoftoi se gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për votimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

“Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës, për fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar dhe në këtë fazë konsideroj se po i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe pashmangshëm, pa nevojë, po e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme” – tha ai.

Abdixhku më 01.09.2026 tha se deputetët që nuk respektojnë vendimin e Kryesisë do të duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit.

“Secili njeri që nuk respekton vendimet e Kryesisë më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së. Nëse asgjë tjetër, duhet ta dorëzojnë mandatin e deputetit. Jo, asnjërit s’ia kam kërkuar, po flas personalisht çka kam bërë unë kur s’jam pajtuar në të kaluarën”- deklaroi ai pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë”- tha ai.

Ndërkohë, pas përfundimit të një takimi me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, e ka konsideruar “të papërgjegjshme, të dëmshme e absurde” sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët janë shprehur se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Republikës.

“Pas tri palë zgjedhjeve, duket që ka dëshirë e ka vullnet, ka interes, që të shkojmë edhe në zgjedhje të katërta për më pak se dy vite”- tha Kurti para mediave.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk janë përshirë në bisedimet për zgjedhjen e kandidatit për president, por ta vazhdojnë të bëjnë thirrje për konstituimin e institucioneve.

Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka filluar më 06.08.2026 e më pas ka vazhduar edhe më 08.08.2026 për të mosvazhduar më.PDK në vazhdimësi i ka dërguar letra edhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari për të vazhduar seancën por ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë pa pasur një marrëveshje politike mes partive për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Në aktgjykimin e 26.06.2025, gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës. Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.