Kurti flet për bashkëpunimin me presidenten e re, injoron pyetjet për kritikat ndaj Ligjit për Specialen

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takimin e parë me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, pas marrjes së detyrës së saj.
Pas takimit, Kurti tha se me presidenten e re ka pasur mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim në çështjet me interes shtetëror dhe publik, por ai ka injoruar pyetjet e gazetarëve për kritikat e ndërkombëtarëve pas miratimit nga Kuvendi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Një takim i parë me presidenten e re të Republikës, profesor Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror e publik, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kosova, pas më shumë se një viti e gjysmë, tashmë ka institucione plotësisht funksionale dhe se fokusi duhet të jetë te punët që i presin institucionet.
“Republika e Kosovës, më në fund pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucione plotësisht funksionale dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha Kurti.
Sipas tij, gjatë takimit ka hasur te presidentja e re “jo vetëm mirëkuptim, por edhe gatishmëri, interes dhe vullnet” për bashkërendim institucional.
Kurti bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme Shiroka Pula do të zhvillojë takime edhe me institucionet e tjera të shtetit dhe ministritë e Qeverisë.
“Duhet t’i bashkojmë që të gjithë, ashtu që të mos jemi vetëm të suksesshëm, por në të njëjtën kohë të jemi edhe të shpejtë në sukseset që na presin”, tha ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



