Kurti: Investimi prej 1 miliard euro në mbrojtje gjatë mandatit të ardhshëm

Kurti: Investimi prej 1 miliard euro në mbrojtje gjatë mandatit të ardhshëm

Kryeministri në detyrë zotohet për 1 miliard euro në mbrojtje gjatë mandatit të ardhshëm

Diplomimi i gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shoqërua me zotime për investime të reja në sektorin e mbrojtjes dhe thirrje për përkushtim ndaj shtetit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se gjatë mandatit të ardhshëm synohet investimi i 1 miliard eurove në mbrojtje, ndërtimi i fabrikës së municioneve dhe rritja e numrit të vajzave si pjesë e ushtrisë.

Ai theksoi se, përveç pajisjeve moderne dhe investimeve, elementi më i rëndësishëm i ushtrisë mbeten ushtarakët e përgatitur dhe të përkushtuar ndaj atdheut.

“Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate. Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës. Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve mbrojtjen e ka vendosur si njërën ndër prioritetet kryesore”, tha Kurti.

Ai theksoi se një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me investime në pajisje ushtarake.

“Kjo është komponenta thelbësore e Forcës së Sigurisë. Për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne nuk është e mjaftueshme nëse ushtria jonë nuk shquhet me njerëz të devotshëm që e duan atdheun më shumë se veten”, tha ai.

Kryeministri paralajmëroi investime të mëdha në sektorin e mbrojtjes gjatë mandatit të ardhshëm.

“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha Kurti.

Në ceremoni foli edhe komandantja e Qendrës për Studime Universitare, majorja Mimoza Buteci, e cila u përcolli kadetëve mesazhe për mënyrën se si duhet ta ushtrojnë profesionin e tyre.

Ajo tha se oficerët duhet të vendosin interesin e shtetit dhe institucionit mbi interesat personale.

“Ju zgjodhët t’i vendosni interesat e të tjerëve, nevojat e institucionit dhe të tjerëve para nevojave dhe interesave tuaja personale. Prandaj mos harroni se detyra, nderi dhe atdheu duhet të jenë udhërrëfyesit tuaj para çdo vendimi që do ta merrni si drejtues të ushtrisë”, tha Buteci.

Me pak fjalë

Kryeministri Albin Kurti zotohet për investime të mëdha në mbrojtje gjatë mandatit të ardhshëm, duke përfshirë 1 miliard euro, ndërtimin e fabrikës së municioneve dhe rritjen e numrit të vajzave në ushtri. Ai theksoi rëndësinë e ushtarakëve të përgatitur dhe të përkushtuar ndaj atdheut. Komandantja Mimoza Buteci iu drejtua kadetëve duke u kërkuar që interesat e shtetit të vendosen mbi ato personale.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.