Kurti: Marrëveshja me Abdixhikun qëndron, përkundër se gjashtë deputetë të LDK-së janë kundër

Kurti: Marrëveshja me Abdixhikun qëndron, përkundër se gjashtë deputetë të LDK-së janë kundër

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja politike e arritur me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës vazhdon të jetë e vlefshme.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të VV-së, Kurti tha se zhvillimet e fundit, përfshirë qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së kundër Sejdiut, përbëjnë një situatë të re, por sipas tij nuk nënkuptojnë se marrëveshja është prishur.

“Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, si udhëheqës i delegacionit, ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme. Pra, ajo marrëveshje qëndron”, deklaroi Kurti.

Ai tha se marrëveshja është arritur pas një procesi negociator dhe se tani duhet të gjendet rruga për zbatimin e saj.

“Është marrëveshje me shumë mund, është marrëveshje e drejtë, e mirë, e vërtetë, e dobishme, por çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të gjashtë deputetëve?”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se negociatat nënkuptojnë që palët duhet të diskutojnë edhe për kriteret dhe tiparet që duhet t’i ketë figura e Presidentit, e më pas të shqyrtohen emrat konkretë.

“Negociatat nënkuptojnë që nuk do të ketë emër të përveçëm për President të njërës palë, por duke diskutuar parimisht, konceptualisht, një herë për atributet, tiparet e karakteristikat e figurës presidenciale e më pastaj duke qarkulluar e diskutuar edhe për emrat e përveçëm, ka mundësi që të arrihet zgjidhja”, tha ai.

Ai përmendi edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit në legjislaturën e kaluar, duke kujtuar kandidaturën e Feride Rushitit.

“Ju e dini që në legjislaturën e 10-të, pas tërheqjes së Glauk Konjufcës nga kandidatura, bashkë me kandidaten tjetër, doktoreshën Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe pasi që nuk pati propozime nga opozita, ne sollëm një lider të shoqërisë civile, doktoreshën Feride Rushiti. Ajo i ka pasur 64 vota”, tha Kurti.

Duke krahasuar votat e Rushitit me ato të Sejdiut, Kurti tha se kandidatura e këtij të fundit ka marrë një mbështetje më të madhe.

“Në kuti me votim të fshehtë, tash profesor Bekim Sejdiu, mund të them që dje i kishte 18 vota, sot i ka 74 vota. Pra, kemi një lëvizje nga 64 vota për Feride Rushitin te 74 vota për Bekim Sejdiun”, deklaroi ai.

Kurti tha se tash duhet të punohet për tejkalimin e situatës së krijuar pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

“Pajtueshmëri për rrugën përpara”, tha Kurti, duke lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e diskutimeve me LDK-në.

Ai përsëriti se marrëveshja politike mes VV-së dhe LDK-së për kandidaturën e Bekim Sejdiut mbetet në fuqi, ndërsa pritet që të zhvillohen takime të reja për të përcaktuar rrugën përpara.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.