Kurti premtoi edhe anëtarësimin në OBSH, por për 4 vite Qeveria e Kosovës as që aplikoi për t’u bërë pjesë e saj
Premtime bëri shumë, por nuk i mbajti shumicën prej tyre. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kur shpalosi 114 premtimet në fushatën zgjedhore të 2021-ës, mes të cilave premtoi edhe aplikimin për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH), por mandatin e kreu e premtimin e dhënë as nuk e ka filluar. “Padyshim do të përgatitemi dhe
Premtime bëri shumë, por nuk i mbajti shumicën prej tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kur shpalosi 114 premtimet në fushatën zgjedhore të 2021-ës, mes të cilave premtoi edhe aplikimin për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH), por mandatin e kreu e premtimin e dhënë as nuk e ka filluar.
“Padyshim do të përgatitemi dhe aplikojmë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë”, pati deklaruar Kurti në 2021-ten.
Shkaku i mos përmbushjes së këtij premtimi, Kosova ka humbur shumë përfitime në Shëndetësi nga anëtarësimi në OBSH.
Njohësit e fushës së shëndetësisë kanë vlerësuar se prishja e raporteve me aleatët ndërkombëtar ka vështirësuar edhe më shumë mundësinë për aplikimin për anëtarësim në OBSH, derisa kanë renditur përparësitë e benefitet që ka humbur Kosova nga mos aplikimi.
“Front Online” ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për ta pyetur nëse kanë aplikuar për anëtarësim ne OBSH, por deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ish-ministri i Shëndetësisë: Aplikimi i anëtarësimit në OBSH do të dështonte si pasojë e raporteve të dëmtuara me partnerët ndërkombëtarë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me dështimin e realizimit të premtimit të Kryeministrit Albin Kurti për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ai tha se pa një koordinim intensiv dhe të sinqertë me partnerët strategjikë, shanset për sukses janë të vogla.
“Premtimi për aplikim për anëtarësim ne OBSH mund të realizohet nga cila do Qeveri, por shanset për anëtarësim pa koordinim intensiv dhe të sinqertë me partnerët tanë strategjik e sidomos me SHBA-të, nuk është i mundur”, shprehet ai.
Ai deklaroi se për shkak të raporteve të dëmtuara me partnerët ndërkombëtarë, aplikimi për anëtarësim mund të dështojë.
“Sigurisht që Kosova do të fitonte shumë nga anëtarësimi eventual në OBSH. Me këto raporte të lënduara me partnerët e vendit tonë, edhe aplikimi për anëtarësim në OBSH do të përfundoj me dështim sikurse edhe në institucionet tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, thotë ai.
Rrahmani thotë se Kosova, si një shtet që nuk është anëtar i OKB-së, ka shumë vështirësi për të siguruar mbështetje për anëtarësim në OBSH pa lobim të vazhdueshëm.
“Kosova nuk është anëtare e OKB-së, dhe e ka shumë të vështirë të siguroj votën e mjaftueshme për tu anëtarësuar në OBSH, pa lobimin intensiv të shteteve mike”, deklaroi Rrahmani.
Këto janë përfitimet e Kosovës si anëtare e OBSH-së
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, tanimë infektologu, Ilir Tolaj, ka folur për “Front Online” lidhur me premtimin e partisë në pushtet për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ai shprehet se Kosova ka tentuar të bëhet anëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, por për anëtarësim duhet njohja ndërkombëtare dhe mbështetje nga shumica e vendeve anëtare të OBSH-së.
“Kosova është përpjekur të bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Anëtarësia e plotë në OBSH do të kërkonte njohjen ndërkombëtare dhe mbështetje nga shumica e vendeve anëtare”, shprehet Tolaj.
Tolaj renditi disa përparësi që Kosova mund të përfitonte nga anëtarësimi, duke përfshirë pjesëmarrjen në politikën shëndetësore globale, qasjen në fonde dhe burime për përmirësimin e shëndetit publik, dhe rritjen e njohjes ndërkombëtare.
“1. Pjesëmarrja në politikë shëndetësore: Kosova do të kishte mundësinë të kontribuonte në formimin e politikave dhe strategjive globale për shëndetin.
Qasje në fonde dhe burime: Anëtarësia do të mundësonte qasje në financime, burime dhe asistencë teknike për përmirësimin e sistemeve të shëndetit publik.
Përmirësimi i shëndetit publik: Kosova do të mund të përfitonte nga eksperiencat dhe rekomandimet e OBSH për menaxhimin e sëmundjeve, krizat shëndetësore dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Rritja e njohjes ndërkombëtare: Anëtarësia do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe do të përforconte lidhjet me vende të tjera.
Kolaborim me organizata të tjera: Anëtarët e OBSH shpesh kanë mundësi të colabrojnë me organizata të tjera ndërkombëtare për projektet dhe iniciativa shëndetësore”, deklaroi Tolaj.
Megjithatë, ai deklaroi se ky proces është i komplikuar, veçanërisht për shkak të faktit që shumë shtete, përfshirë disa vende të BE-së, ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Për t’u bërë anëtare e OBSH-së, Kosova do të duhet të sigurojë mbështetje nga shumica e vendeve të tjera anëtare, një proces që shpesh është i ndërlikuar ose gati i pamundur politikisht, veçanërisht kur e kemi parasysh qe ne nuk na kane njohur as te gjitha vendet e BE-se”, tha ai.
Infektologu Tolaj: Kosova më lehtë do ta përballonte pandeminë si anëtare e OBSH-së
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe infektologu, Ilir Tolaj, ka bërë të ditur mundësitë që Kosova do të kishte pasur në përballimin e pandemisë COVID-19 nëse do të ishte anëtare e OBSH-së.
Ai shtoi se anëtarësimi në OBSH do të mundësonte qasje në informacione dhe resurse të rëndësishme shëndetësore, mbështetje financiare dhe logjistikë për përballimin e krizës, si dhe mundësi për koordinim ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë.
“Nëse Kosova do të ishte anëtarësuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) para ose gjatë pandemisë COVID-19, potencialisht do të kishte disa përparësi në përballjen me pandeminë. Këto mund të përfshinin:
Qasje në Informacione dhe Resurse: Anëtarësimi do të mundësonte qasje në informacione të rëndësishme shëndetësore dhe rekomandime nga ekspertë të OBSH-së, duke ndihmuar në zhvillimin e politikave efektive për menaxhimin e pandemisë.
Mbështetje Financiare dhe Logjistik: OBSH shpesh ofron mbështetje financiare dhe materiale për vendet anëtare për të ndihmuar në përballimin e krizave shëndetësore.
Koordinim Ndërkombëtar: Me anëtarësimin në OBSH, Kosova do të kishte mundësinë të kontribuonte dhe të përfitonte nga përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare për të luftuar pandeminë”, deklaroi ai.
Tolaj gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve shëndetësore dhe qasjes në studime dhe kërkime, që do të ndihmonin në menaxhimin më efikas të situatës.
“Zhvillimi i Kapaciteteve Shëndetësore: Anëtarësimi do të ndihmonte në përmirësimin e kapaciteteve shëndetësore duke ofruar trajnime dhe burime për profesionistët e shëndetësisë. Qasje në Studime dhe Kërkime: Do të kishte akses në studime dhe kërkime të fundit në lidhje me COVID-19 dhe mënyrat më të mira për të menaxhuar përhapjen e tij. Çdo përfitim do të ishte i varur nga mënyra se si do të menaxhoheshin këto mundësi dhe nga kapaciteti i Kosovës për të implementuar politikat dhe praktikat e rekomanduara”, u shpreh ai për “Front Online”.
Ferid Agani: Pandemia tregoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OBSH
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaroi për “Front Online” se anëtarësimi i Kosovës në OBSH do të kishte sjellë përfitime të mëdha për vendin, duke mundësuar qasje më të lehtë në vaksina, ilaçe dhe ekspertizë profesionale në sektorin e shëndetësisë.
“Anëtarësimi në OBSH do të kishte sjellë një sërë përfitimesh, veçanërisht në aspektin e ekspertizës profesionale dhe shkencore në sektorin e shëndetësisë, qasjes në vaksina dhe ilaçe, dhe menaxhimit të emergjencave shëndetësore”, deklaroi ai.
Ai shprehet se mosanëtarësimi në OBSH gjatë pandemisë e ka bërë të vështirë qasjen në skemat globale të ndihmës dhe vaksinimit, duke vonuar furnizimet shëndetësore dhe ndihmën teknike.
“Mosanëtarësimi në kohën e pandemisë ishte një disavantazh i dukshëm. Qasja në skemat globale të ndihmës dhe vaksinimit ishte i vështirësuar gjë që e detyroi Kosovën të priste më gjatë për furnizime shëndetësore dhe e vështirësoi marrjen e ndihmës së domosdoshme teknike”, shprehet ai./FrontOnline