Kurti premton rritje pagash, dyfishim të shtesave për fëmijët dhe valutë digjitale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend vizionin dhe prioritetet e ekzekutivit të ardhshëm.
Kurti tha se motoja e Qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”, ndërsa theksoi se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes së tij, rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind e Bruto Produktit Vendor.
Ndër premtimet kryesore të Kurtit është dyfishimi i shtesave për fëmijët në familjet me tre e më shumë fëmijë, nga 45 në 90 euro për fëmijë.
Ai paralajmëroi gjithashtu rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro në muaj, si dhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për automjetet e importuara nga Bashkimi Evropian.
Kurti tha se Qeveria e re do të vazhdojë politikat për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë dhe bujqësinë. Ai premtoi edhe zbatimin e ligjit për çmimet tavan, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe tregtarëve të ndershëm nga abuzimet.
Në programin e tij ai përfshiu edhe zhvillimin e valutës digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë blockchain, për pagesa dhe shërbime digjitale, si dhe ndërtimin e Kullës së Teknologjisë Informative në Prishtinë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



