Kurtit mbrëmë në zyrë i shkoi emisiari britanik, pak orë pasi SHBA-ja njoftoi për ndëshkimet ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vonë priti në zyrën e tij të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Kreu i Qeverisë e njoftoi atë me veprimet dhe qëndrimet e Kosovës për sa i […]

Kurtit mbrëmë në zyrë i shkoi emisiari britanik, pak orë pasi SHBA-ja njoftoi për ndëshkimet ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vonë priti në zyrën e tij të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Kreu i Qeverisë e njoftoi atë me veprimet dhe qëndrimet e Kosovës për sa i takon situatës së krijuar pas sulmeve dhe tensioneve të shkaktuara nga grupe të së djathtës ekstreme në komunat veriore, që lanë të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Ai theksoi se veprimet e institucioneve të sigurisë kanë për synim zbatimin e sundimit të ligjit, teksa shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, pak orë para takimit të Kurtit me Peach, SHBA-ja ka njoftuar për 3 sanksione ndaj Kosovës shkaku i trazirave në veri.

Ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ai i cili në një takim me gazetarë bëri të ditur se ShBA ka përjashtuar Kosovën nga “Defender Europe”, dhe si ndëshkim tjetër është edhe “moslobimi me shtetet mosnjohëse”, ndërsa paralajmëroi edhe veprime të tjera ndaj shtetit tonë.