NATO kusht Serbisë: S’ka avancim të partneritetit pa përgjegjësi për Banjskën

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Partneritete, Kevin Hamilton deklaroi nga Prishtina se aleanca nuk do të thellojë aspekte të caktuara të bashkëpunimit me Serbinë derisa të sigurohet përgjegjëia për sulmet e vitit 2023 në veri të Kosovës, në Banjskë dhe Zveçan. Hamilton u tha gazetarëve në Prishtina se ai ua përcolli të njëjtin mesazh zyrtarëve në Beograd gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi.
“Sulmet ndaj anëtarëve të KFOR-it ishin krejtësisht të papranueshme. NATO pret përgjegjësi dhe drejtësi për ata që kryen dhe organizuan ato sulme”, tha Hamilton. Ai deklaroi se NATO dëshiron marrëdhënie transparente dhe pozitive me Serbinë, por se segmente të caktuara të bashkëpunimit nuk mund të përparojnë pa ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për incidentet nga viti 2023.
“Ka aspekte që nuk mund të shkojnë më tej derisa të ketë përgjegjësi për këto sulme. Ky është mesazhi që ua përcolla bashkëbiseduesve të mi në Serbi dhe topi tani është në fushën e tyre”, tha Hamilton. Sipas tij, kjo i referohet edhe mundësisë që Serbia të kalojë në një program partneriteti të përshtatur individualisht me NATO-n. Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Hamilton akuzoi Rusinë për përhapjen e dezinformatave dhe nxitjen e përçarjes përmes aktiviteteve hibride.
“Rusia përdor fushata dezinformimi dhe aktivitete hibride për të nxitur përçarje dhe pakënaqësi, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë botën”, tha ai.
The post NATO kusht Serbisë: S’ka avancim të partneritetit pa përgjegjësi për Banjskën appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



