KUSHTETUTA NUK NJEH “PUSHTETIN E KATËRT” – NJEH NDARJEN, KONTROLLIN DHE BASHKËPUNIMIN

KUSHTETUTA NUK NJEH “PUSHTETIN E KATËRT” – NJEH NDARJEN, KONTROLLIN DHE BASHKËPUNIMIN

Ministri Shasivari i mban leksion kushtetues Apasievit të Levicës:

Nga pozita e ministrit të Drejtësisë, do të prisja që një deputet dhe profesor i së drejtës ta bazojë kritikën e tij në Kushtetutë dhe ligje, e jo në anekdota nga “korridoret juridike”.
Së pari dhe më e rëndësishmja: Kushtetuta jonë nuk e përcakton Gjykatën Kushtetuese si “pushtet të katërt”. Gjykata Kushtetuese është organ i veçantë dhe i pavarur shtetëror që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Pikërisht për këtë arsye, kur flitet për ndarjen e pushtetit, duhet t’i referohemi Kushtetutës, e jo të krijojmë kategori të reja kushtetuese.
Së dyti, askund në Kushtetutë nuk ekziston ndalesë që kryetari i Gjykatës Kushtetuese të takohet me Ministrin e Drejtësisë. Përkundrazi, rendi kushtetues nuk vendos izolim institucional, por një sistem të ndarjes së kompetencave, pavarësisë dhe mekanizmave të ndërsjellë të kontrollit dhe bashkëpunimit.
Takimi nuk është vendim. Biseda nuk është urdhër. Dialogu nuk është ndikim.
Gjykata Kushtetuese vendos në mënyrë të pavarur dhe të mëvetësishme. Ministri i Drejtësisë nuk mund t’i urdhërojë asaj se si të vendosë, ashtu siç as kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i urdhërojë ministrit se si ta udhëheqë politikën ekzekutive.
Kjo është thelbi i ndarjes së pushtetit.
Por, të pretendohet se vetë takimi i dy bartësve të funksioneve publike është jokushtetues, do të thotë të barazohet dialogu institucional me ndërhyrjen në kompetencat e njëri-tjetrit. Kjo është e gabuar, si nga aspekti kushtetues, ashtu edhe nga ai politik.
Nëse ndjekim një logjikë të tillë, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk do të duhej të bisedonte me kryetarin e Kuvendit, me kryetarin e Republikës, me kryetarin e Qeverisë, me gjyqtarë, me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare apo me institucione të tjera, vetëm për faktin se ato kanë kompetenca të ndryshme kushtetuese.
Kjo nuk është ndarje e pushtetit. Kjo është izolim institucional.
Si Ministër i Drejtësisë, detyra ime është të komunikoj me të gjitha institucionet relevante. Jo për të ndikuar në vendimet e tyre, por për të dëgjuar, për të koordinuar brenda kompetencave dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të së drejtës.
Dhe edhe diçka.
Kritika politike është legjitime. Por, fyerjet ndaj bartësve të funksioneve publike nuk janë argument juridik, ndërsa thirrja në autoritetin e një profesori të së kaluarës nuk krijon normë kushtetuese.
Profesori Todor Xhunov, si jurist i dalluar, meriton respekt për kontributin e tij akademik dhe institucional. Por, një anekdotë nuk mund të jetë mbi Kushtetutën.
Kushtetuta është mbi të gjithë ne.
Prandaj, në vend të pyetjes “Çfarë ishte ajo ndarje e pushtetit?”, pyetja e vërtetë është:
ÇFARË ISHTE AJO – NORMË KUSHTETUESE APO ANEKDOTË POLITIKE?
Unë do t’i përmbahem normës kushtetuese.
Ndarje e pushtetit – po.
Gjykatë Kushtetuese e pavarur – pa kushte.
Vendimmarrje e pavarur – e pacenueshme.
Dialog institucional – i domosdoshëm.
Ndërhyrje në vendimet gjyqësore – kurrë.
Fyerje në vend të argumenteve juridike – aq më pak.
Sundimi i së drejtës nuk mbrohet duke ngritur mure institucionale, por duke respektuar Kushtetutën.

Screenshot


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.