Lekaj i AAK-së: Zgjedhje mund të ketë në çdo moment, VV po mbanë takime me përkrahësit e saj nga frika e dështimeve të Qeverisë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për FrontOnline, thotë se partitë politike ka kohë që po tentojnë të jenë sa më afër qytetarëve, derisa mandati qeverisës po shkon drejt fundit. ‘’Partitë politike në çdo kohë tentojnë të jenë sa më afër qytetarëve dhe votuesve të vetë potencial, e veçanërisht në kohën kur mandatet qeverisëse shkojnë drejt […]

Lekaj i AAK-së: Zgjedhje mund të ketë në çdo moment, VV po mbanë takime me përkrahësit e saj nga frika e dështimeve të Qeverisë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për FrontOnline, thotë se partitë politike ka kohë që po tentojnë të jenë sa më afër qytetarëve, derisa mandati qeverisës po shkon drejt fundit.

‘’Partitë politike në çdo kohë tentojnë të jenë sa më afër qytetarëve dhe votuesve të vetë potencial, e veçanërisht në kohën kur mandatet qeverisëse shkojnë drejt fundit. Me këtë dua të them që po kemi një lloj mini fushate zgjedhore gjithandej vendit nga partitë politike’’ thotë ai.

Lekaj, deklaron se zgjedhje mund të ketë në çdo kohë, dhe kjo varet nga disa faktorë sipas tij.

‘’’Zgjedhje të reja mund të ketë në çdo kohë të mundshme, ajo varet nga disa faktorë siç janë: dorëheqja e Qeverisë Kurti për dështimet në qeverisje, unifikimi dhe bashkimi i opozitës dhe deputetëve të pakënaqur për rrëzimin e Qeverisë, presioni ndërkombëtarë, rënia e madhe e Qeverisë në sondazhe dhe vullneti i tyre për ta ndalë këtë rënie, epilogu i marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe mos mundësia e menaxhimit të situatës nga Qeveria e Kosovës’’ potencon ai.

Nënkryetari i AAK-së, thekson se partia në pushtet, Vetëvendosje, po mbanë takime me përkrahësit e saj nga frika e dështimeve të Qeverisë.

‘’VV po i mban takimet nga frika e dështimeve në Qeveri dhe rënia e pëlqyeshmerisë në popull. Ne si AAK i mbajmë nga vullneti për mobilizim gjithandej vendit që të ndryshojmë këtë qeverisje. Kosovës i duhet një Qeverisje nga AAK, me fjalë pak e punë shumë, ku prioritet do të jenë fusha e Shëndetësisë, Arsimit, Zhvillimi Ekonomik dhe Bujqësia’’ shton ai për FrontOnline.

Lekaj, thotë se AAK është në vazhdimësi në diskutim e bashkëbisedim me përkrahësit e saj.

‘’AAK është në vazhdimësi në bashkëbisedim me qytetarë në të gjitha komunat, me struktura të partisë brenda dhe jashtë vendit. Në diasporë ne po kemi takime me bashkatdhetarë, biznese e ndërmarrës që veprojnë në Mërgatë dhe të cilët janë shumë të interesuar për ndryshim të Qeverisjes në Kosovë, dhe të cilët po i japin mbështetje të pa rezervë  z.Haradinaj’’ deklaron ai.

Po ashtu nënkryetari i AAK-së, thotë se lista e tyre për deputetë do të jetë me profesionist e ekspert që veprojnë brenda e jashtë vendit.

‘’AAK është duke bërë një program Qeverisës që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Atë program po e bënë me ekspertë dhe njohës të fushave të ndryshme, dhe të cilët do të jenë njëkohësisht kandidatë të ri në listën për Deputetë të Kosovës. Ne kemi një koalicion me partitë Nisma, Listën Konservatore dhe Forumin e Intelektualëve Evropa 2030, ku besojmë se lista do të jetë mjaft reprezentative në kuptim të profesionistëve dhe ekspertëve që veprojnë brenda dhe jashtë Kosovë’’ përfundon Lekaj/FrontOnline/