Lista Serbe i reagon Gërvallës: Gënjeshtër pretendimi se do ta mbështesnim Kurtin, e përhapin për lojëra të brendshme

Lista Serbe tha se është “gënjeshtër e pastër” pretendimi se disa deputetë të kësaj partie do të votonin për një Qeveri të mundshme të Kosovës, që do ta propozonte Lëvizja Vetëvendosje, siç paralajmëroi mbrëmë kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla Schwarz. Sipas Listës Serbe, këto “gënjeshtra”, po i përhap LVV-ja, pasi ato, siç thuhet në reagim

Lista Serbe i reagon Gërvallës: Gënjeshtër pretendimi se do ta mbështesnim Kurtin, e përhapin për lojëra të brendshme

Lista Serbe tha se është “gënjeshtër e pastër” pretendimi se disa deputetë të kësaj partie do të votonin për një Qeveri të mundshme të Kosovës, që do ta propozonte Lëvizja Vetëvendosje, siç paralajmëroi mbrëmë kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla Schwarz.

Sipas Listës Serbe, këto “gënjeshtra”, po i përhap LVV-ja, pasi ato, siç thuhet në reagim “duket se u shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme”.

“Duke pasur parasysh deklaratat që vijnë nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kurtit, dëshirojmë të theksojmë publikisht se mbështetja e paralajmëruar e pretenduar nga deputetët e Listës Serbe është një gënjeshtër e pastër. Ndoshta kjo është dëshira e tyre, një insinuatë apo diçka e tretë, por ne e përsërisim qartë dhe publikisht se kjo është e pavërtetë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

“Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që ata përhapin duket se u shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë edhe publikisht”, thuhet tutje në reagim.

Lista Serbe u tha votuesve të saj se “nuk do t’i tradhtojë kurrë”.

“Me krenari dhe përgjegjësi e respektojmë secilën nga 40.000 votat që na i kanë dhënë bashkatdhetarët tanë në zgjedhjet e fundit, në mënyrë që të luftojmë për interesat e popullit serb brenda parlamentit në Prishtinë”, thuhet në reagim.