Lladrovci: VV nuk i ka numrat, duhet një koordinim ndërpartiak
Kryetari i PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet politike vetëm pak orë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për kryetarin e ri të këtij institucioni. Duke folur për mundësinë që PDK të mbështesë një kandidate tjetër nga VV, siç janë emrat e përmendur nga AAK – Saranda

Kryetari i PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet politike vetëm pak orë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për kryetarin e ri të këtij institucioni.
Duke folur për mundësinë që PDK të mbështesë një kandidate tjetër nga VV, siç janë emrat e përmendur nga AAK – Saranda Bogujevci apo Shqipë Selimi, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi – Lladrovci ka theksuar se koordinimi ndër partiak i bën mirë Kosovës.
“Po, është detyrë e partisë fituese që me reflektu, në drejtim të jetësimit të vullnetit të popullit, themelimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm,” ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet interpretuar me arrogancë nga fituesi relativ i zgjedhjeve.
“Përkundrazi, ajo duhet parë si reflektim dhe ndryshim të qasjes, ngase po vërehet qartë se ka mungesë numrash,” ka thënë Lladrovci për FrontOnline.
Në lidhje me votimin e kryetarit të Kuvendit, ai ka kujtuar se deputetët kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.
“Deputetët duhet të jenë të pranishëm në Kuvend dhe janë të lirë të votojnë si të duan, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga votimi,” theksoi ai për FrontOnline.
Në fund, Lladrovci vuri në pah nevojën për një klimë më konstruktive politike dhe koordinim ndërpartiak.
“Mendoj se ka shumë atmosferë negative dhe arrogancë në disa parti politike për të arritur te kandidati i pranueshëm për të gjithë. Mendoj se koordinimi ndërpartiak i bën mirë partive dhe Kosovës.” përfundoi ai./FrontOnline/