Lucernë: Tre shqiptarë dënohen për trafik droge dhe pastrim të mbi 300 mijë frangave

Lucernë: Tre shqiptarë dënohen për trafik droge dhe pastrim të mbi 300 mijë frangave

Dy kushërinj shqiptarë janë dënuar nga Gjykata Penale e Lucernës për vepra që lidhen me trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave. Në të njëjtën çështje, gjykata ka shpallur fajtore edhe një grua 31-vjeçare nga Kosova, e cila akuzohej për ndihmë në aktivitetin kriminal, transmeton albinfo.ch.

Procedura gjyqësore është zhvilluar në mënyrë të përshpejtuar, pasi të tre të akuzuarit kanë pranuar veprat për të cilat akuzoheshin, si dhe dënimet e propozuara nga prokuroria.

Sipas aktakuzës, 26-vjeçari ishte përfshirë në shitjen e rreth tre kilogramëve kokainë gjatë një periudhe prej afërsisht një viti e katër muajsh, duke nisur nga dhjetori i vitit 2022. Ai ishte përfshirë sërish në aktivitetin e paligjshëm për rreth tre muaj gjatë vitit 2025.

Gjatë një periudhe tjetër, aktivitetin e kishte vazhduar kushëriri i tij 22-vjeçar, i cili, sipas aktakuzës, kishte shitur rreth dy kilogramë heroinë.

Rasti përfshinte edhe një agjenci udhëtimesh në Lucernë, e cila dyshohet se ishte përdorur për qarkullimin e parave të përfituara nga droga. Sipas prokurorisë, 26-vjeçari e kishte vizituar agjencinë më shumë se 100 herë dhe në të paktën 60 raste kishte depozituar para të lidhura me aktivitetin e trafikut të drogës.

Në total, përmes kësaj skeme dyshohet se janë pastruar më shumë se 300 mijë franga zvicerane.

Prokuroria i ka konsideruar dy kushërinjtë si persona që kanë vepruar në nivelet më të ulëta të strukturës kriminale. Për 26-vjeçarin, gjykata ka marrë parasysh edhe pranimin e fajësisë dhe bashkëpunimin gjatë procedurës.

Ai është dënuar me tre vjet burgim, prej të cilave 18 muaj duhet t’i vuajë në mënyrë efektive, ndërsa pjesa tjetër është pezulluar. Kushëriri i tij 22-vjeçar është dënuar gjithashtu me tre vjet burgim, por në rastin e tij pjesa efektive e dënimit është nëntë muaj. Në veprat e lidhura me të janë përfshirë rreth 130 mijë franga.

Në të njëjtën çështje, Gjykata Penale e Lucernës ka dënuar edhe një 31-vjeçare nga Kosova me dhjetë muaj burgim me kusht për ndihmë në trafikimin e drogës.

Sipas aktakuzës, ajo kishte siguruar një hapësirë për akomodim dhe merrej me mbledhjen e qirasë, ndërsa ishte në dijeni se hapësira po përdorej në lidhje me aktivitetin e trafikut të drogës.

Përveç dënimeve me burgim, dy kushërinjve u është shqiptuar edhe ndalim hyrjeje në Zvicër për një periudhë prej dhjetë vjetësh.

Ndërkaq, ndaj 31-vjeçares nuk është urdhëruar dëbimi nga Zvicra. Gjykata ka marrë parasysh faktin se ajo ka lindur në Zvicër dhe ka lidhje të forta me vendin.

Vendimet ndaj të akuzuarve janë përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme./Albinfo.ch

The post Lucernë: Tre shqiptarë dënohen për trafik droge dhe pastrim të mbi 300 mijë frangave appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.