Kush do ta drejtojë Prokurorinë për Krim të Organizuar? Sot votojnë prokurorët

Kush do ta drejtojë Prokurorinë për Krim të Organizuar? Sot votojnë prokurorët

Sot pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i cili do ta pasojë Islam Abazin në krye të këtij institucioni.

Në garë për këtë pozitë janë pesë prokurorë: Jovan Cvetanovski, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.

Sipas procedurës së përcaktuar, votimi do të zhvillohet sot, më 28 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Drejtuesi i ri do të zgjidhet përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë të prokurorëve publikë.

Kush janë pesë kandidatët?

Jovan Cvetanovski është prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike, ndërsa Trajçe Pelivanov, gjithashtu prokuror në këtë institucion, më parë ka qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike.

Lidija Raiçeviq vjen nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, ndërsa Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi aktualisht punojnë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Të pesë kandidatët i kanë prezantuar programet e tyre para Këshillit të Prokurorëve Publikë, duke theksuar nevojën për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit të lartë, pastrimit të parave dhe rritjen e efikasitetit të institucionit.

Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Islam Abazit, i cili më herët kishte njoftuar se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë.

Drejtuesi i ri do të përballet me sfida të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe me pritshmëritë për forcimin e pavarësisë dhe besueshmërisë së Prokurorisë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.