Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe EFTA-s hyn në fuqi: Zvicra heq tarifat për eksportet aktuale

Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe EFTA-s hyn në fuqi: Zvicra heq tarifat për eksportet aktuale

Nga 1 tetori 2026 ka hyrë në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), përkatësisht Zvicrës, Lihtenshtajnit, Islandës dhe Norvegjisë, shkruan albinfo.ch.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua më 22 janar 2025 në Davos të Zvicrës, krijon një kornizë të re për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe katër shteteve të EFTA-s. Sipas autoriteteve zvicerane, marrëveshja rrit sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë për bizneset, si dhe përmirëson qasjen e mallrave dhe shërbimeve zvicerane në tregun e Kosovës.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me tarifat doganore. Sipas Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), eksportet aktuale zvicerane drejt Kosovës do të përfitojnë nga heqja e tarifave doganore, ndërsa për disa produkte janë paraparë periudha kalimtare.

Marrëveshja përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si dhe dispozita për tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Për bizneset që zhvillojnë tregti ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, duke ofruar rregulla më të qarta dhe më shumë parashikueshmëri në marrëdhëniet ekonomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sipas të dhënave të autoriteteve zvicerane, tregtia dypalëshe e mallrave ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës gjatë vitit 2025 arriti në rreth 175 milionë franga zvicerane. Autoritetet zvicerane e konsiderojnë Kosovën një treg me potencial për rritje të mëtejshme.

Marrëveshja ndërmjet EFTA-s dhe Kosovës u nënshkrua më 22 janar 2025, ndërsa hyrja e saj në fuqi u realizua në faza. Nga 1 shtatori 2026 ajo ishte në fuqi për Kosovën, Islandën dhe Norvegjinë, ndërsa nga 1 tetori 2026 hyn në fuqi edhe për Zvicrën dhe Lihtenshtajnin.

Hyrja në fuqi e plotë e marrëveshjes shënon një hap të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset në të dyja tregjet./Albinfo.ch

The post Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe EFTA-s hyn në fuqi: Zvicra heq tarifat për eksportet aktuale appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.