Masakra në Minneapolis, si autori transgjinor planifikoi gjithçka për sulmin në ditarin e tij

Minneapolis është tronditur mëngjesin e 27 gushtit nga një ngjarje tragjike, ku dy fëmijë humbën jetën dhe të paktën 17 persona të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë katolike në jug të qytetit. Autor i kësaj masakre është identifikuar si Robin Westman, 23 vjeç, i cili sipas burimeve [...]Read More...

Masakra në Minneapolis, si autori transgjinor planifikoi gjithçka për sulmin në ditarin e tij

Minneapolis është tronditur mëngjesin e 27 gushtit nga një ngjarje tragjike, ku dy fëmijë humbën jetën dhe të paktën 17 persona të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë katolike në jug të qytetit. Autor i kësaj masakre është identifikuar si Robin Westman, 23 vjeç, i cili sipas burimeve ishte një grua transgjinore.

Sipas raportimeve të New York Post, vetëm pak orë përpara sulmit, Westman kishte publikuar disa video në YouTube, në të cilat paralajmëronte aktin që do kryente. Në videot dhe fotot e publikuara nga autoritetet amerikane dhe mediat, shihen karikatorë armësh me shkrime kërcënuese si “Vrit Donald Trump” dhe të tjera mesazhe me përmbajtje të dhunshme dhe urrejtëse.

Në një prej materialeve filmike, që zgjat rreth 20 minuta, Westman shihet duke shfletuar një bllok të kuq me shënime dhe vizatime të çuditshme. Në një moment, e përshkruan veten si “monstra e tmerrshme që qëndron mbi fëmijët e pafuqishëm”. Gjithashtu, duken skica armësh, përfshirë një që mban shënimin “Ruger Mark IV”, ndërsa në sfond shihet tym dhe dëgjohen sharje të pakontrolluara.

Disa nga faqet e bllokut përmbajnë shënime ku Westman shpreh idetë e tij për një “masakër të planifikuar prej kohësh”, ndërsa një tjetër detaj i zbuluar lidhet me faktin se në të njëjtën shkollë ku ndodhi sulmi, më herët kishte punuar nëna e tij. Në një pjesë të ditarit shkruan: “Mendoj se sulmi mbi një grup të madh fëmijësh që kthehen nga pushimi është plani im ideal.”

Përveç planifikimit të dhunshëm, në shënimet e tij dallohet një përzierje ideologjike mes ekstremizmit të majtë dhe antisemitizmit. Në një nga faqet e bllokut është ngjitur një sticker me flamurin transgjinor dhe mbishkrimin “Mbro barazinë”, mbi të cilin vendoset një tjetër me një armë AK-47. Në një tjetër fragment shkruan: “Nëse do të bëja një sulm me motive racore, do të ishte me shumë gjasë kundër çifutëve të ndyrë”, ndërsa më poshtë shton thirrjen: “Free Palestine!”

Westman ka shprehur gjithashtu dëshirën për të sulmuar figura të njohura politike dhe publike. “Objektiva si Elon Musk, Trump apo ndonjë drejtues i rëndësishëm,” shkruan ai, duke nënvizuar se pas kryerjes së masakrës kishte në plan të vetëvritej.

Në fund të njërës prej videove, ai ndalet në një faqe bosh të bllokut ku është vizatuar pjesa e brendshme e një kishe. E sheh, qesh dhe thotë: “Haha, bukur!”

Autoritetet janë duke hetuar më tej motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur opinionin publik amerikan./abcnews.al