Izet Mexhiti: Shkupi më afër Prishtinës, shaiptarët më afër njëri- tjetrit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur nisjen e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë, duke e cilësuar këtë projekt si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Sot vendosëm gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas tij, kjo autostradë ka një rëndësi që shkon përtej ndërtimit të një infrastrukture rrugore, pasi lidh drejtpërdrejt Shkupin me Prishtinën dhe forcon lidhjet ekonomike, familjare dhe shoqërore mes dy vendeve.
“Është rruga që lidh Shkupin me Prishtinën. Dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese e njerëz që çdo ditë lëvizin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, është shprehur Mexhiti.
Ai theksoi se nisja e punimeve është dëshmi se projektet e mëdha nuk mbeten vetëm premtime, por po shndërrohen në rezultate konkrete.
“Puna jonë po shihet. Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se qytetarët duhet ta ndjejnë ndryshimin përmes projekteve, investimeve dhe rezultateve konkrete.
Mexhiti vlerësoi gjithashtu rolin e përfaqësimit politik shqiptar në realizimin e projekteve strategjike.
“Pesha në Qeveri nuk matet me fjalë. Matet me atë që arrin ta bësh për njerëzit e tu. Autostrada Shkup–Bllacë është një prej rezultateve që e tregojnë më së miri këtë peshë politike”, tha ai.
Në përfundim, bashkëkryetari i VLEN-it e cilësoi autostradën si një investim me rëndësi afatgjatë për gjeneratat e ardhshme.
“Shkupi më afër Prishtinës. Shqiptarët më afër njëri-tjetrit. Sot vendosëm gurthemelin. Nesër, në këtë rrugë do të udhëtojnë gjenerata të tëra”, përfundoi Mexhiti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



