Ministre me shtetësi bullgare në qeverinë e Hristijan Mickoskit

Këtë fundjavë vendi ynë u bë me një qeveri të re. Kabineti i ri qeveritar do të ketë 24 anëtarë. Nga ato, një kryeministër, 20 ministra me resor dhe tre ministra pa portofol. Megjithatë, ky tekst nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e çdo resori në veçanti, por me çështjen e integritetit, moralit politik dhe […]

Ministre me shtetësi bullgare në qeverinë e Hristijan Mickoskit

Këtë fundjavë vendi ynë u bë me një qeveri të re. Kabineti i ri qeveritar do të ketë 24 anëtarë. Nga ato, një kryeministër, 20 ministra me resor dhe tre ministra pa portofol. Megjithatë, ky tekst nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e çdo resori në veçanti, por me çështjen e integritetit, moralit politik dhe konflikteve të mundshme të interesit. Një ministër ka deklaruar hapur dhe të paktën një ka fshehur se ka dy shtetësi, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Të pasurit shtetësi të dyfishtë nuk është e ndaluar me ligj, por hap dilema për kualitetet morale, si dhe për atë se çfarë do të ndodhë nëse një ministër gjendet në një situatë kur duhet të vendosë për çështje që prekin dy ose më shumë vendlindje të tij?

Sanja Bozhinovska

Në biografinë e ministres që drejton Ministrinë e sapoformuar të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale thuhet se ajo ka lindur në Shkup në vitin 1980. Në rubrikën e kombësisë ajo është deklaruar “maqedonase”. Arsimin e lartë e ka kryer jashtë vendit dhe ka përvojë pune jashtë vendit, ndër të tjera edhe në grupacionin “Rudnap” me seli në Beograd, Serbi, ku ka qenë “drejtoreshë ekzekutive e të gjitha kompanive në Evropën Qendrore dhe Lindore për tregtimin e energjisë elektrike” dhe ka qenë përgjegjëse për aktivitetet në “Serbi, Bullgari, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Rumani, Hungari, Qipro, BeH, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Republikën Çeke, Austri, Greqi”.

Nëse kontrollohet historia e degës së “Rudnap” në Zagreb, që është një e dhënë ku publiku ka qasje të lirë, emri i Sanja Bozhinovskës mund të gjendet në disa vende. Më datën 06.12.2013, kur janë bërë ndryshime në strukturën e kompanisë, përveç se që i është përmendur emri Sanya Bozhinovska, shkruhet edhe se personi ka numër amze (numrin personal të identifikimit): 38563731070 dhe numër të pasaportës 382526102, por jo të Republikës së Maqedonisë, por të Republikës së Bullgarisë. Dhe se banon në një adresë në Beograd.

Printscreen nga faqja e internetit e disponueshme për publikun e Gjykatës Ekonomike në Zagreb

Ose, Sanja Bozhinovska, e cila sipas biografisë, atëkohë ka punuar në kompaninë “Rudnap”, në Kroaci ka qenë e paraqitur dhe është identifikuar me pasaportë bullgare. Dhe për të pasur një pasaportë bullgare, së pari duhet të sigurohet shtetësia bullgare. Që një person të marrë nënshtetësinë bullgare, ai paraprakisht duhet të deklarojë se ndihet si bullgar para autoriteteve lokale.

Duke i pasur parasysh këto fakte, 360 Gradë iu drejtua ministres Sanja Bozhinovska. Në pyetjen nëse ka pasur apo aktualisht ka nënshtetësi bullgare dhe pse nuk e ka deklaruar atë në biografinë e bashkëngjitur ndaj propozimit për përbërjen e qeverisë së re, ajo u përgjigj:

“Sa i përket pyetjeve tuaja konkrete, në biografinë time zyrtare thuhet qartë se jam shtetase e Maqedonisë dhe se kam edhe shtetësi çeke. Lidhur me pretendimet për shtetësi bullgare, dua të theksoj se nuk kam shtetësi bullgare dhe të gjitha informacionet relevante janë të shënuara në mënyrë transparente në biografinë time”.

Sanja Bozhinovska, Ministre e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale

Sa i përket shtetësisë bullgare, ministrja Sanja Bozhinovska askund në përgjigjen e saj nuk thotë nëse e ka pasur në të kaluarën, edhe pse edhe kjo ishte pjesë e pyetjes.

“360 gradë“ bëri kontrolle të mëtejshme dhe rezultoi se ajo ka aplikuar për hequr dore nga shtetësia bullgare në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe se procedura nuk ka përfunduar, që do të thotë se Bozhinovska ende është shtetase e Republikës së Bullgarisë.

Sipas kronologjisë së ngjarjeve, disa muaj pasi kërkoi lirimin nga shtetësia bullgare, në shkurt të këtij viti, Bozhinovska bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

Sa i përket posedimit të shtetësisë çeke, për të cilën ministrja Bozhinovska pretendon se e ka deklaruar, një informatë e tillë nuk mund të gjendet në biografinë e saj të dorëzuar nga mandatari Hristijan Mickoski në Kuvend. Siç edhe thamë, për kombësinë e saj ajo ka shkruar vetëm “maqedonase”, ndërsa në rubrikën e gjuhës amtare ka shkruar “maqedonase”. Republika Çeke përmendet kryesisht në përvojën e punës, ndërsa gjuha çeke ndër gjuhët e tjera që ajo i njeh. Por shtetësia çeke nuk përmendet askund.

CV e Sanja Bozhinovskës. Foto nga 360 Gradë

Në pyetjen nëse posedimi i shtetësisë së një shteti tjetër mund të çojë në konflikt potencial të interesave, ministrja Bozhinovska u përgjigj:

“Në këtë kuptim, dua të përmend se gjithmonë kam punuar në interes të shtetit dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Mundësia e konfliktit të interesit do të shmanget gjithmonë nëpërmjet transparencës dhe respektimit të rregulloreve ligjore, si dhe standardeve më të larta etike…

Në kuadër të funksionit tim të ri si ministre, do të fokusohem në realizimin e projekteve dhe iniciativave që do të kontribuojnë që Maqedonia të bëhet një vend stabil dhe i pavarur nga aspekti energjetik. Planet tona përfshijnë investim në burimet e rinovueshme të energjisë, modernizim të kapaciteteve ekzistuese të energjisë dhe përmirësim të infrastrukturës. Qëllimi është që të sigurohet një furnizim i vazhdueshëm dhe i besueshëm me energji për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit”.

Arben Fetai

Një nga emrat relativisht të panjohur për publikun e gjerë që mori post si anëtar i qeverisë është Arben Fetai. Ai ka lindur në Kumanovë në vitin 1980, por sipas atyre që e njohin ka kohë që është shpërngulur në Belgjikë. Ai është gjithashtu i vetmi ministër që ka deklaruar dyshtetësinë në biografinë e përbërjes së qeverisë së re. Konkretisht, në rubrikën e shtetësisë ka shkruar: Maqedonia e Veriut dhe Belgjika.

CV e Arben Fetait. Foto: 360 Gradë

Ai nuk e ka deklaruar në asnjë vend përkatësinë e tij etnike. Në rubrikën e gjuhës, ai ka shkruar se ka dy gjuhë amtare – shqipen dhe frëngjishten. Sa i përket gjuhës maqedonase, ai ka deklaruar se e njeh në nivelin B1, që do të thotë nivel mesatar-i ulët.

Sipas biografisë së tij, angazhimet e tij të mëparshme në punë kanë qenë kryesisht të lidhura me Belgjikën, Kosovën dhe vetëm në dy vitet e fundit me Maqedoninë e Veriut.

Fetain e pyetëm se pse ka vendosur të deklarojë të dyja shtetësitë, por edhe nëse mendon se në frymën e praktikave të mira demokratike të gjithë anëtarët e qeverisë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë për të parandaluar një konflikt të mundshëm interesash. Kjo është përgjigja e tij integrale:

“Së pari, shtetësia e dyfishtë nuk është e ndaluar me ligj as në Maqedoninë e Veriut, ku jam zgjedhur anëtar i kabinetit qeveritar, as në shtetin ku kam jetuar për 35 vjet, në Belgjikë. Madje lejohet në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, ku ne synojmë të anëtarësohemi. Deklarimi i një shtetësie të dytë është çështje transparence dhe është i domosdoshëm të paktën për sa i përket nivelit etik. Kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë shtetërorë, duhet të jetë normë, gjegjësisht një praktikë e mirë që është instaluar në qeverisje sepse këtu nuk ka asgjë kontroverse apo të diskutueshme, sidomos kur bëhet fjalë për vendet miqësore. Vende si Belgjika, vende të tjera të BE-së dhe NATO-s, nuk shoh asgjë që e justifikon fshehjen e një informacioni të tillë. Në rastin tim, përkundrazi, besoj se ky është një standard etik dhe një standard transparence që duhet të zbatohet për të gjithë”.

Arben Fetai, zëvendëskryeministër për politika të qeverisjes së mirë. Foto: Profili në Facebook Lojalitet ndaj kujt?

Është i saktë qëndrimi i ministrit Fetai se në shumicën e vendeve anëtare të BE-së nuk është e ndaluar që ministrat të kenë dyshtetësi. Por kjo nuk do të thotë se çështja nuk është kontroverse.

Është tejet interesant rasti i disa viteve më parë nga Zvicra, e cila nuk është anëtare e BE-së, por është një nga demokracitë më të zhvilluara evropiane. Qeveria zvicerane, pra Këshilli Federal, përbëhet nga shtatë anëtarë që udhëheqin shtatë resore të ndryshme. Në vitin 2017 Ignazio Cassis u zgjodh anëtar i Këshillit Federal.

Deri në moshën 15-vjeçare Cassis ka pasur vetëm nënshtetësi italiane, e pastaj me natyralizimin e prindërve të tij mori edhe nënshtetësinë zvicerane. Para se të zgjidhej anëtar i Këshillit Federal, ai hoqi dorë nga shtetësia italiane, edhe pse në Zvicër si edhe në Maqedoninë e Veriut nuk është e ndaluar që një ministër të ketë shtetësi të dyfishtë. Rasti hap një debat të madh tek publiku atje.

Edhe pse Cassis thotë se ai ka hequr dorë nga shtetësia e tij italiane vullnetarisht dhe spontanisht, në prag të zgjedhjes së tij është vënë në dyshim besnikëria e tij ndaj Zvicrës, sidomos nga kundërshtarët e tij politikë.

Kandidati i dytë më serioz për postin të cilin në fund e fitoi Cassis, Pierre Maudet, i cili kishte nënshtetësi të dyfishtë të Zvicrës dhe Francës, tha se edhe ai do të hiqte dorë nga shtetësia e tij franceze nëse i kërkohet një gjë e tillë. Por ai shtoi se shtetësia e dyfishtë nuk duhet ta bëjë atë dhe 900.000 zviceranë të tjerë qytetarë të klasit të dytë. Maude ka theksuar se ai do të hiqte dorë nga shtetësia e tij franceze, sidomos nëse zgjidhej si ministër i punëve të jashtme ose i mbrojtjes.

Natyrisht që Bullgaria për Maqedoninë e Veriut nuk është e njëjtë si Italia dhe Franca për Zvicrën.