Ish-ministri gjerman Michael Roth: BE t’i ngrijë fondet Serbisë, nacionalizmi i Daçiçit rrezikon Ballkanin

Ish-ministri gjerman për Europën, Michael Roth, ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet nacionalizmi serb për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë në media, Roth i bëri thirrje Bashkimit Europian të ngrijë fondet për Serbinë dhe të rishikojë marrëdhëniet me Beogradin. Duke komentuar deklaratat e Ivica Daçiçit për Kosovën, Roth theksoi se pretendimet territoriale ndaj një vendi fqinj nuk mund të justifikohen si retorikë elektorale.
“Nacionalizmi është luftë. Zoti Daçiç vë hapur në pikëpyetje sovranitetin e një vendi fqinj. Ne nuk duhet të mësohemi kurrë me një retorikë të tillë, pasi ajo vetëm radikalizon forcat që tashmë janë radikale”, u shpreh Roth. Ai argumentoi se Serbia ka ndjekur një politikë të dyfishtë, duke ruajtur lidhjet me Rusinë dhe njëkohësisht duke synuar anëtarësimin në BE. Sipas tij, Brukseli duhet të tregojë më shumë vendosmëri dhe të mos i trajtojë Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në çdo rrethanë. Roth vlerësoi se BE-ja duhet të rishqyrtojë seriozisht marrëdhënien me Beogradin pas zgjedhjeve në Serbi, duke propozuar ngrirjen e fondeve europiane dhe pezullimin e negociatave të anëtarësimit për sa kohë nuk përmbushen kushtet.
Në përfundim, ish-ministri gjerman theksoi se Bashkimi Europian duhet të rikthejë besueshmërinë në rajon, duke mbështetur demokracinë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër nacionalizmit. Sipas tij, përparimi drejt integrimit europian duhet të përkthehet në më shumë siguri, stabilitet dhe mirëqenie për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
The post Ish-ministri gjerman Michael Roth: BE t’i ngrijë fondet Serbisë, nacionalizmi i Daçiçit rrezikon Ballkanin appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



