Ministrja e “rezervave shtetërore” mbetet jashtë 50-shes më të votuar të VV-së

Një listë e kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë me votat që ata kanë marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit, është bërë publike. Megjithatë, përderisa Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci e Agim Bahitir kanë siguruar numër të madh votash, dikush tjetër në VV ka pësuar dështim spektakolar, transmeton klankosova.tv. Është ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e “rezervave shtetërore” mbetet jashtë 50-shes më të votuar të VV-së

Një listë e kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë me votat që ata kanë marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit, është bërë publike.

Megjithatë, përderisa Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci e Agim Bahitir kanë siguruar numër të madh votash, dikush tjetër në VV ka pësuar dështim spektakolar, transmeton klankosova.tv.

Është ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila siç shkruan Sinjali, nuk figuron as në 50 më të votuarit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Ndryshe, Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Tregtisë do të mbahet mend për rezervat shtetërore, rast ky u bë fillimisht kryelajm në gusht të vitit 2023, kur flitej për keqpërdorimin e tyre.

Atëkohë u arrestuan disa persona, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.