Muharremi letër të hapur ZRRE-së: Mos miratoni asnjë vendim për shtrenjtim të rrymës, do të ishte me pasoja të rënda
Analisti Shenoll Muharremi i është drejtuar me letër të hapur Zyrës së Rregullatorit për Energji, pikërisht në ditën kur ZRRE-ja pritet të vendosë për çmimin e energjisë elektrike. Muharremi ka kërkuar nga ZRRE-a që të mos miratojnë asnjë vendim i cili sjell rritje të tarifave të energjisë, pasi që sipas tij një vendim i tillë
Analisti Shenoll Muharremi i është drejtuar me letër të hapur Zyrës së Rregullatorit për Energji, pikërisht në ditën kur ZRRE-ja pritet të vendosë për çmimin e energjisë elektrike.
Muharremi ka kërkuar nga ZRRE-a që të mos miratojnë asnjë vendim i cili sjell rritje të tarifave të energjisë, pasi që sipas tij një vendim i tillë do të ishte me pasoja të rënda për ekonominë.
“Të mos miratoni asnjë vendim që sjell rritje të mëtejshme të tarifave të energjisë elektrike. Një vendim i tillë do të ishte me pasoja të rënda për ekonominë tonë fragjile. Të mos merrni vendime që rrisin tarifat përsëri pa një Kuvend funksional. ZRRE i jep llogaridhënie Kuvendit të Kosovës, i cili sot nuk është funksional. Kjo duhet të nënkuptojë vetëpërmbajtje dhe respekt për situatën institucionale të vendit”, thuhet në letren e Muharremit drejtuar ZRRE-së.
Postimi i plotë:
Letër e hapur për anëtarët e bordit të ZRRE-së
Të nderuar anëtarë të bordit të ZRRE-së,
Sot nuk është një ditë pune e zakonshme. Sot, vendimi juaj ka një peshë shumë më të madhe sesa një vendim teknik. Ai është vendim socio-ekonomik, politik, dhe jetik për qindra mijëra qytetarë dhe mijëra biznese të Kosovës.
Rritja e çmimeve të energjisë gjatë viteve të fundit ka prekur thellë çdo sferë të jetës nga buka, vaji, e qumështi e deri tek ilaçet, edukimi i fëmijëve dhe pagesat e kredive. Ky nuk është më një diskutim vetëm për kilovatë dhe tarifa. Është një diskutim për ndikimet sociale dhe funksionimin ekonomik të vendit tonë.
Vitet e fundit fuqia blerëse është goditur. Bizneset tona kanë humbur konkurrueshmërinë. Importi është rritur në nivele të paprecedentë dhe deficiti tregtar në mallra ka kaluar 5 miliardë euro në vit. Punësimi ka shënuar rënie vitin e fundit. Migrimi është rritur. Të gjitha këto janë indikatorë të ndjeshëm që lidhen ngushtë me koston e energjisë dhe mënyrën si menaxhohet ky sektor.
Prandaj, ju bëj thirrje publike që:
1. Të mos miratoni asnjë vendim që sjell rritje të mëtejshme të tarifave të energjisë elektrike. Një vendim i tillë do të ishte me pasoja të rënda për ekonominë tonë fragjile.
2. Të mos merrni vendime që rrisin tarifat përsëri pa një Kuvend funksional. ZRRE-ja i jep llogaridhënie Kuvendit të Kosovës, i cili sot nuk është funksional. Kjo duhet të nënkuptojë vetëpërmbajtje dhe respekt për situatën institucionale të vendit.
3. Të merrni seriozisht zërin e mijëra qytetarëve, qindra bizneseve, organizatave ekonomike, sindikatave dhe deputetëve të zgjedhur që kanë reaguar kundër këtij vendimi. Asnjëherë më parë ZRRE-ja nuk ka marrë kaq shumë letra dhe reagime, kjo duhet të jetë një sinjal i fortë për reflektim.
4. Nëse nuk arrini të gjeni një zgjidhje pa rritur çmimin e rrymës të kërkoni zgjidhje në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet e tjera. Ne kemi nevojë për një zgjidhje që nuk gjeneron inflacion dhe që nuk e rrit barrën për qytetarët dhe bizneset.
Sot nuk jeni vetëm rregullatorë. Sot jeni vendimmarrës për fatin ekonomik dhe social të Kosovës. Mos e ndani vendin nga populli, e as energjinë nga drejtësia sociale.
Me respekt dhe përgjegjësi.