Në njoftimin për njohjen, Kenia i referohet Pacollit si emisar i posaçëm i presidentes Osmani

Kenia të mërkurën u bë shteti më i ri që e njohu pavarësinë e Kosovës. Njoftimin për këtë njohje e dha ish-presidenti Behgjet Pacolli, por si iu referua shteti afrikan atij në një njoftim për njohjen e Kosovës? Departamenti i Shtetit për Punë të Jashtme i Kenias, përmes një shkrimi të publikuar të mërkurën në

Në njoftimin për njohjen, Kenia i referohet Pacollit si emisar i posaçëm i presidentes Osmani

Kenia të mërkurën u bë shteti më i ri që e njohu pavarësinë e Kosovës. Njoftimin për këtë njohje e dha ish-presidenti Behgjet Pacolli, por si iu referua shteti afrikan atij në një njoftim për njohjen e Kosovës?

Departamenti i Shtetit për Punë të Jashtme i Kenias, përmes një shkrimi të publikuar të mërkurën në mbrëmje në rrjetin X, Pacollit i referohet si emisar i posaçëm i presidentes Vjosa Osmani.

“Kenia e ka njohur Kosovën si shtet” – fillon postimi i Departamentit të Shtetit për Punë të Jashtme.

“Shpallja e pavarësisë nga Kosova më 17 shkurt 2008 e mori mbështetjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) më 2010. Kenia e ka njohur Kosovën në interest ë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe mbështetje të fuqizimit të marrëdhënieve me shtetet në Ballkan” – shkruhet më tej.

Pacolli përmendet në paragrafin vijues: “Në këtë drejtim, presidenti William Ruto sot (e mërkurën) u takua me emisarin e posaçëm të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Behgjet Pacolli, në Shtëpinë Shtetërore në Nairobi.”

Përmes një shkrimi në rrjetin “Facebook”, presidentja Osmani e publikoi vendimin zyrtar të Kenias për ta njohur Kosovën, dërguar nga presidenti Ruto, dhe pati një “falënderim të veçantë” për ish-presidentin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin.

“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli” – shkroi Osmani.