Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt
“Probleme martesore dhe financiare”- Prokurorja tregon njërin nga motivet që quan në vrasjen e Liridona Ademaj The post Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt appeared first on Albinfo.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën ka konfirmuar është ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, më shumë se një vit më parë, përcjell albinfo.ch.
Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre janë në paraburgim. Në akuzë është përfshirë edhe një i dyshuar i katërt, që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në rast.
Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, ka thënë se e vetmja gjë që ka vonuar në ngritjen e aktakuzës ka qenë zbulimi i motivit që e ka shtyrë Naim Murselin ta planifikojë vrasjen e bashkëshortes. Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar përgjigje nga shteti i Suedisë, aty ku ka jetuar çifti më herët.
“Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim. Çka ka munguar është motivi që e ka shtyrë Naim Murselin ta vrasë Liridona Ademajn. Kemi shfrytëzuar ndihmën ndërkombëtare nga Mbretëria e Suedisë dhe për këtë arsye organeve të Suedisë i jemi drejtuar të na dërgojë të dhëna për jetën e tyre familjare. Kemi marrë përgjigje në pyetjet që kemi dërguar atje dhe atëherë kemi mundur të kemi pasqyrën e plotë të ngjarjes. Përderisa kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe kanë pasur çështje edhe financiare. Për të gjithë emrat e të pandehurve në këtë lëndë e dimë se kush janë. Keni dëgjuar emrin e njërit që i ka planifikuar të gjitha e ai është Naim Murseli…”, ka thënë Perlinçeviq pa dhënë detaje të tjera.
Prokurorja ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për kryerësit e kësaj vepre.
Pas konferencës së Prokurorisë, vëllai i Liridonës, Liridon Ademaj, ka folur për mediat duke thënë se e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës, por shpreson që gjykata të vendosë sa më shpejtë dënim kapital për të akuzuarit.
“E mirëpresim ngritjen e aktakuzës. Në emër të familjes ju falënderoj të gjithëve, prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo që duam ne është që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë sado pak zemrat tona dhe të fëmijëve të saj. Nuk e kemi marrë aktakuzën. Fëmijët kanë kuptuar gjithçka. Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë kujdeset shteti, që e di më mirë me njerëz adekuatë. Por çfarë shohim ne janë shumë të mërzitur. Akoma nuk e kemi lexuar aktakuzën, kur ta lexojmë do ta shohim (motivin). Është ditë e rëndë për ne”, ka thënë ai.
Rasti i vrasjes së 39-vjeçares fillimisht u raportua nga Policia si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Por vetëm një ditë më vonë, Policia arrestoi bashkëshortin e saj, si të dyshuarin kryesor për planifikimin e vrasjes.
Vrasja e Liridona Ademajt nxiti reagime të mëdha në opinion, që u shoqëruan me protesta.
AKTAKUZA E PUBLIKUAR NGA BETIMI PËR DREJTËSI:
Prokuroria Themelore në Prishtinë të mërkurën (15 janar 2025) ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin
Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.
Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.
Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.
Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.
Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.
I maskuar e me pistoletë, Ganit Plava qëlloi me një plumb në kokë Lirdonën
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.
Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.
Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.
Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro
Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Palava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.
Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.
Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.
Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit
Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).
Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.
Tom Dodaj ia shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro
Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyet se përse është vonuar kaq gjatë ngritja e aktajuzës ka qenë për shkak të mungeës së motivit të ngjarjes.
“Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e aktakuzës, provat janë mbledhur shpejte për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi, dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi, organeve atje ju jemi drejtuar për të na kërkuar te dhëna nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me probleme nëse kanë pasur. Deri sa nuk i kemi pasur të dhëna në lidhje me këtë nuk kam mundur ta ngris aktakuzën”, ka thënë Perlinçeviq.
Prokurorja tha se kanë kuptuar se Naim Murseli ka angazhuar djalin e hallës Kushtrim Kokalla, kurse kryerësi ka qenë Granit Plava.
E pyetur rreth motivit të vrasjes, tha se nga çrregullimi i marrëdhënies martesore kishte ardhur deri tek problemet tjera.
“Një nga motivet sepse nuk mund t’i tregojmë të gjitha motivet sepse aktakuza në momentin që kemi hyrë në sallë është dërguar në gjykatë dhe për detajet e aktakuzës nuk mund të themi. Por, mund të themi se përderisa kanë jetuar në Suedi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluar martesore dhe familjare, gjatë të cilave kanë ardhur deri te problemet tjera edhe financiare. Për motivet tjera që kanë çuar këtë rast deri te vrasja mund ta kuptoni në seanca gjyqësore”, tha prokurorja.
Ndaj Naim Murselit, sipas Prokurorisë, rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Granit Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.
The post Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt appeared first on Albinfo.