Orhan Murtezani merr zyrtarisht detyrën si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO

Orhan Murtezani ka marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit dhe përfaqësuesit të përhershëm të Maqedonisë së Veriut në NATO. Murtezani është një nga nëntë ambasadorët e rinj, emrat e të cilëve u miratuan nga Qeveria në shkurt të këtij viti, raporton INA.
Pas marrjes së detyrës së re, Murtezani tha se kjo përgjegjësi përbën një kapitull të ri në karrierën e tij profesionale, por edhe vazhdim të angazhimit për një Maqedoni të Veriut të sigurt dhe aleate të besueshme brenda familjes euroatlantike.
Ai theksoi se anëtarësimi në NATO, përveç privilegjit, sjell edhe përgjegjësi, veçanërisht në një periudhë kur siguria nuk mund të merret si e mirëqenë.
Murtezani ka shërbyer si ministër për Çështje Evropiane nga qershori 2024 deri në dhjetor 2025. Ai u shkarkua pas zgjedhjeve lokale, ndërsa më herët kryeministri Hristijan Mickoski kishte paralajmëruar se Murtezani do të vazhdonte të ishte pjesë e kabinetit, me përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të Agjendës së Reformave.
Me marrjen e detyrës në NATO, Murtezani do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në një prej institucioneve kryesore të sigurisë euroatlantike.
The post Orhan Murtezani merr zyrtarisht detyrën si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



