Osmani: Vuçiqi flet dhe sillet si një rosë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është fatkeqësi për popullin e Serbisë dhe gjithë rajonin, si dhe për të gjithë aleatët tanë, që duhet të merren me taktikat e tij të vazhdueshme destabilizuese. Gjatë një diskutimi të mbajtur në Hudson Institute në Washington D.C., Osmani u shpreh Vuçiqjo

Osmani: Vuçiqi flet dhe sillet si një rosë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është fatkeqësi për popullin e Serbisë dhe gjithë rajonin, si dhe për të gjithë aleatët tanë, që duhet të merren me taktikat e tij të vazhdueshme destabilizuese.

Gjatë një diskutimi të mbajtur në Hudson Institute në Washington D.C., Osmani u shpreh Vuçiqjo vetëm që rri në dy karrige, por e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij.

“Kur e shikon Vuçiqin, ai ishte ministri i fundit i propagandës – dua të them, kjo është e vërteta. Ai flet si një rosë dhe sillet si një rosë – ai ende beson në të njëjtën mënyrë të të menduarit. Është fatkeqësi. Fatkeqësi për popullin e Serbisë dhe për vendin që ai drejton. Fatkeqësi për të gjithë rajonin. Dhe më pas është fatkeqësi edhe për të gjithë aleatët tanë, që duhet të merren me taktikat e tij të vazhdueshme destabilizuese, në vend që të flitet për mirëqenie apo projekte rajonale të përbashkëta që do të na shtynin përpara. Në vend që të flitet se si t’u japim mundësi brezave të rinj, ai sjell paqëndrueshmëri, nxitje lufte. Flet për “Serbinë e Madhe” apo për “botën serbe”. Kjo është një kopje e skenarit të Putinit. Ai i sheh vendet përreth si shtete të përkohshme – një logjikë që ka qenë prezente në Rusi që nga koha e Katerinës së Madhe: pushto, pushto, pushto, dhe ndoshta diçka do të mbetet në fund. Është e njëjta logjikë”, tha Osmani.

Osmani ka shtuar se Vuçiq në përpjekjen e tij përdor shumë propagandë dhe në 12–13 vitet e fundit që është në pushtet, ka arritur ta sjellë vendin e tij nga një përputhje prej 96% me Bashkimin Evropian, në vetëm 40% përputhje me BE-në.

“Asnjë sanksion ndaj Rusisë, asnjë ndaj Iranit, asnjë përputhje me vlerat perëndimore – çka tregon se ai jo vetëm që rri në dy karrige, por e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij. Pra, ata që vazhdojnë të përdorin taktika pajtimi me shpresën se ai do të ndryshojë, mendoj se thjesht po humbin kohën – sepse e kanë provuar. E kanë provuar për më shumë se një dekadë. Dhe rezultati është ky: 83% e popullit të Serbisë, për shkak të mediave të kapura nga Vuçiqi, besojnë se luftën e ka nisur Ukraina. 83% besojnë dhe kanë besim te Putini. Nuk i besojnë Perëndimit. Nuk kanë besim në udhëheqjen amerikane. Pra, çështja është gjeneratash – jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e mënyrës së të menduarit ku bën pjesë Vuçiqi. Ai ka punuar me Millosheviqin, ka bërë propagandë për gjenocidin në Srebrenicë”, tha ajo.

Sipas saj, Vuçiq ka qenë shumë i qartë për atë që ka besuar dhe asnjëherë nuk është shkëputur kurrë nga Millosheviqi.