Parada Arbëreshe në Spezzano Albanese, tradita shqiptare në rrugët e qytetit

Rrugët e Spezzano Albanese në Itali u mbushën me ngjyra, muzikë dhe veshje tradicionale shqiptare gjatë zhvillimit të Paradës Arbëreshe, një aktivitet kushtuar identitetit dhe trashëgimisë së komuniteteve arbëreshe, transmeton albinfo.ch.
Në paradë morën pjesë grupe artistike nga komunat arbëreshe, së bashku me përfaqësues të komunave shqiptare në rajon. Përmes kostumeve tradicionale, muzikës dhe elementeve të trashëgimisë kulturore, pjesëmarrësit prezantuan traditat e ruajtura dhe të përcjella ndër breza.
Aktiviteti shërbeu edhe si një moment bashkimi për komunitetet arbëreshe, duke sjellë në vëmendje historinë dhe vazhdimësinë e identitetit të tyre shqiptar ndër shekuj.
Gjuha, veshjet, zakonet, muzika dhe traditat arbëreshe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj trashëgimie, e cila vazhdon të përcillet te brezat e rinj përmes aktiviteteve kulturore.
Një rol në organizimin dhe promovimin e kësaj ngjarjeje pati edhe Franco Calimà dhe Expo Arbëria, të cilët u vlerësuan për angazhimin në ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe.
Parada krijoi gjithashtu hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve arbëreshe në Itali dhe përfaqësuesve e institucioneve shqiptare.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përmes CulturALB dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synohet vazhdimi i nismave që kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Parada Arbëreshe në Spezzano Albanese solli kështu në një hapësirë të përbashkët kulturën, historinë dhe traditat e një komuniteti që, pavarësisht shekujve dhe largësisë nga trojet shqiptare, ka ruajtur lidhjen me rrënjët e tij./Albinfo.ch
The post Parada Arbëreshe në Spezzano Albanese, tradita shqiptare në rrugët e qytetit appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



