Çka parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?

Çka parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka proceduar zyrtarisht sot në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nisma politike e ligjore vjen pas vendimit të shkallës së parë të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe protestave që pasuan në kryeqytet. 

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur në objektin e Kuvendit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti, sqaroi se projektligji synon eliminimin e devijimit të mandatit të gjykatës dhe mbrojtjen e sovranitetit kushtetues të Kosovës. 

Sipas dokumentit të ndryshimeve të propozuara, nisma parashikon ndërhyrje kyçe në disa nene themelore të ligjit ekzistues: 

Kufizimi i mandatit: Ndryshimet kërkojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt në veprat penale që ndërlidhen me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e ilicitë të organeve, indeve apo qelizave njerëzore, si dhe vrasjeve apo torturave të ndërlidhura drejtpërdrejt me këto operacione, siç pretendohej në Raportin e Dick Martyt (2011).

Heqja e akuzave të përgjithshme: Kërkohet t’i hiqet gjykatës e drejta për të ndjekur krime të përgjithshme të luftës, krime kundër njerëzimit apo dhunë politike që nuk kanë lidhje direkte me pretendimet për trafikim organesh, duke hedhur poshtë edhe kualifikimin e UÇK-së si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. 

Kufizimi i dënimeve dhe vuajtja e tyre: Propozohet që dënimi maksimal i formës së prerë të jetë deri në 15 vjet burgim (në përputhje me parimin e ligjit më të favorshëm lex mitior), dënimet të vuhen në institucionet korrektuese të Kosovës dhe të dënuarit të jenë subjekt i faljes nga Presidenti i Kosovës. 

Ngushtimi i kohës dhe territorit: Periudha e hetimeve propozohet të kufizohet nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 (nga janari 1998 deri në dhjetor 2000 sa është aktualisht) dhe vetëm brenda territorit të Kosovës. 

Transferimi i lëndëve te drejtësia vendore: Çdo rast, dosje, provë apo person i ndaluar që nuk hyn në këtë mandat të ngushtuar propozohet të transferohet në Departamentin Special të gjykatave vendore (Gjykata Themelore, Apeli, Supremja dhe Prokuroria Speciale në Prishtinë). Personat e ndaluar kërkohet të dalin para gjykatësit vendor brenda 48 orëve. 

Monitorimi ndërkombëtar: Projektligji lë hapësirë që organizata ndërkombëtare të pavarura të monitorojnë standardet e gjykimit të drejtë dhe kushtet e paraburgimit, duke raportuar para Kuvendit të Kosovës. 

Gjatë prezantimit të nismës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nëgëzoi se projektligji nuk ka për qëllim krijimin e ndonjë boshllëku ligjor apo mbylljen e procedurave, por kthimin e gjykatës në kuadrin e saj origjinal.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.