Për çfarë u dakorduan përfaqësuesit e partive politike sot në mbledhje te Konjufca

Drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar për takimin e kryekuvendarit Konjufca me përfaqësuesit e subjekteve politike. Në njoftim thuhet se ata janë dakorduar se si do të ndahet ulëset e Kuvendit. “Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më

Për çfarë u dakorduan përfaqësuesit e partive politike sot në mbledhje te Konjufca

Drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar për takimin e kryekuvendarit Konjufca me përfaqësuesit e subjekteve politike.

Në njoftim thuhet se ata janë dakorduar se si do të ndahet ulëset e Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.”

Po ashtu Konjufca ka bërë të ditur për agjendën e seancës konstituive të 15 prillit. Pika e parë do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve dhe në vijim do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.

Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga PDK.

Konjufca ka treguar edhe për agjendën e regjistrimit të deputetëve.

“Para përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend kryetari Konjufca prezantoi edhe agjendën e regjistrimit të deputetëve, si procedurë standarde para seancës konstituive. Kështu, të enjten, më 10 prill, nga ora 9:00 – 16:00 do të regjistrohen deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të premten, më 11 prill deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të hënën, më 14 prill, deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të komuniteteve pakicë, në intervalin e njëjtë kohor.”

Kujtojmë se VV ka marrë 48 ulëse, PDK 24, LDK 20 dhe AAK-Nisma 8 në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.