Pesë misionet e Allegrit për ta rikthyer Milanin në majë

Milan ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, nën drejtimin e trajnerit të rikthyer, Massimiliano Allegri. Sipas asaj që raporton Tuttosport, tekniku italian ka përpara pesë detyra kryesore për të ndërtuar një Milan konkurrues dhe fitues, transmeton ORAinfo. Pas dy ditëve me teste fizike dhe kontrollime mjekësore, skuadra do të zhvillojë sot stërvitjen […]

Pesë misionet e Allegrit për ta rikthyer Milanin në majë

Milan ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, nën drejtimin e trajnerit të rikthyer, Massimiliano Allegri. Sipas asaj që raporton Tuttosport, tekniku italian ka përpara pesë detyra kryesore për të ndërtuar një Milan konkurrues dhe fitues, transmeton ORAinfo.

Pas dy ditëve me teste fizike dhe kontrollime mjekësore, skuadra do të zhvillojë sot stërvitjen e parë nën urdhrat e Allegrit. Në orën 13:00 ai do të flasë për herë të parë para mediave si trajner i ri i kuqezinjve, përpara se të rikthehet në fushë për seancën e dytë stërvitore, këtë herë me dyert e hapura për tifozët.

Pesë sfidat kryesore për Allegrin

1. Rindërtimi i marrëdhënies me tifozët

Për herë të parë pas shumë vitesh, grupi i famshëm ultras “Curva Sud” nuk do të jetë i pranishëm në ditën e parë të përgatitjeve. Allegri ka detyrën e vështirë për të rikthyer besimin dhe entuziazmin e tifozëve, përmes një skuadre të organizuar dhe të bashkuar.

2. Mike Maignan – Shtylla e projektit të ri

Portieri francez është kthyer në një pikë kyçe për Milanin. Allegri ka insistuar që lojtari të mos largohet, duke e konsideruar të pazëvendësueshëm. Megjithatë, kontrata e tij skadon në vitin 2026 dhe situata mbetet e paqartë. Emërimi i Claudio Filippit si trajner portierësh synon të forcojë lidhjen mes Maignan dhe klubit.

3. Rafa Leão – Çelësi i suksesit ofensiv

Tek portugezi nuk ka dilema kontraktuale, por aspekti taktik mbetet thelbësor. Allegri do të duhet të ndërtojë një sistem që i lejon Leãos të bëhet protagonist absolut, duke sjellë vazhdimësi në paraqitjet e tij dhe duke e ngritur në nivelin e anësorëve më të mirë në botë.

4. Një identitet i ri në mesfushë

Mesfusha është në proces rinovimi, dhe Allegri ka për detyrë të ndërtojë një sistem të qartë dhe efikas. Balanca, kreativiteti dhe energjia në këtë repart do të jenë thelbësore për suksesin e skuadrës.

5. Rikthimi i sigurisë mbrojtëse

Në tri sezonet e fundit, Milani ka pësuar 190 gola në 159 ndeshje – një statistikë shqetësuese për një klub me ambicie titulli. Allegri ka për qëllim të rikthejë identitetin historik të Milanit si një skuadër me mbrojtje të hekurt. /ORAinfo/