Pothuajse një miliard franga dëme nga stuhia e 28 gushtit në Zvicër

Stuhia e fuqishme e 28 gushtit ka shkaktuar dëme të mëdha në Zvicrën Qendrore, me vlerë prej pothuajse një miliard frangash, sipas vlerësimit të Shoqatës Zvicerane të Sigurimeve (SVV), përcjell albinfo.ch.
Stuhia, e shoqëruar me kokrra breshëri deri në pesë centimetra dhe erëra të fuqishme, përshkoi disa kantone, nga Berna dhe Solothurni përmes Aargaut dhe Cyrihut deri në Zvicrën Lindore.
Më shumë se 100 mijë automjete vlerësohet të jenë dëmtuar, ndërsa mbi 80 për qind e shumës së përgjithshme të dëmeve lidhet me automjetet.
Për të përballuar numrin e madh të raportimeve, kompanitë e sigurimeve përdorën raportimet digjitale dhe hapën qendra të posaçme “drive-in”, ku automjetet kontrolloheshin dhe vlerësoheshin për dëmet.
Edhe kompania Helvetia Baloise njoftoi se dëmet nga stuhia pritet t’i kushtojnë kompanisë rreth 120 deri në 140 milionë franga, para tatimeve dhe pas risigurimit.
Në vlerësimin prej pothuajse një miliard frangash nuk janë përfshirë dëmet në ndërtesat e kantoneve ku sigurimi i tyre menaxhohet nga institucionet monopoliste kantonale.
Pavarësisht përmasave të dëmeve, siguruesit thonë se sistemi ka funksionuar edhe përballë kësaj ngjarjeje të madhe. /Albinfo.ch
The post Pothuajse një miliard franga dëme nga stuhia e 28 gushtit në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



