Presidentja Osmani takon kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, diskutojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, u diskutua mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku Presidentja theksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi. Një nga temat kryesore ishte çështja e problemeve

Presidentja Osmani takon kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, diskutojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, u diskutua mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku Presidentja theksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.

Një nga temat kryesore ishte çështja e problemeve të evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve. Z. Radoniqi shpjegoi se KQZ-ja ka ftuar menjëherë institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë për të hetuar problemin dhe është duke pritur një raport përfundimtar nga to, që do të ndihmojë në adresimin e çështjeve të identifikuara dhe në sigurimin e transparencës së plotë.

Gjithashtu, Presidentja u njoftua nga z. Radoniqi se KQZ-ja po punon intensivisht për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet gjatë procesit të numërimit të votave. Ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre në kutitë e votimit.

Për më tepër, Presidentja Osmani ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi dhe institucionet përkatëse që nga dita e zgjedhjeve, duke kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve, përfshirë edhe numërimin manual të votave, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Në fund të takimit, Presidentja theksoi rëndësinë e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve.