Edi Rama: Programi "Dyfisho Sipërmarrjen" me 2 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme

Edi Rama: Programi "Dyfisho Sipërmarrjen" me 2 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për të diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”.
Programi synon përkrahjen financiare të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me një tavan financimi prej 2 milionë eurosh. Edi Rama ka theksuar se sipërmarrjet e mëdha janë të përjashtuara nga ky program.
“Ajo që ne synojmë me këtë program është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme”,- tha Edi Rama.
Kreu i qeverisë ka vënë në pah rëndësinë e përfshirjes dhe gatishmërisë së Bankës së Shqipërisë në implementimin e suksesshëm të këtij programi.
“Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që të paktën me fjalë na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët që luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar”,- tha Edi Rama.
Për të perfeksionuar programin, Edi Rama ka njoftuar se do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë.
“Duke qenë se bankat kanë një kalvar të vjetër justifikimesh që i përdorin, dhe një ndër to është se planet e biznesit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshëm të arritura dhe bindëse, ne kemi angazhuar ekspertizë të padiskutueshme, që është Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, përmes së cilës do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë dhe do të kemi një grup të gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante, të cilat kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankën. Dhe ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjithë bizneseve, ndërkohë Ministria e Ekonomisë do të bëjë punën e vet për të garantuar koordinimin midis subjekteve të biznesit dhe grupit të ekspertëve”,- tha Edi Rama.
Për informimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend për ekzistencën e këtij programi, Edi Rama ka njoftuar se do të realizohet një fushatë reklamimi në mënyrë kapilare në të gjithë vendin.
“Është planifikuar një cikël takimesh në territor për të takuar bizneset e interesuara që të përfshihen në këtë program. Nuk është vetëm Ministria e Ekonomisë, këtu është një skuadër që ka objektiva të përbashkëta. Pa diskutim, Ministria e Financave ka qenë kyçe dhe dua të falënderoj edhe ministrin”,- tha Edi Rama.
Edi Rama ka theksuar se qeveria është gati të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Është krijuar një kompani interesante, me djem 30 vjeç e poshtë dhe që bëjnë çobanin. Ai që e ka krijuar më tha se punëtorë kam, idenë e kam, por donte më shumë para. Edhe në Fier ka një kompani, që merret me produkte kozmetike. Kanë të njëjtin problem, atë të financimit. Ka ndërmarrje edhe në fushën e teknologjisë. Edhe këto kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike”,- tha Edi Rama.
“Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”,- u shpreh kreu i qeverisë.
Me pak fjalë
Programi "Dyfisho Sipërmarrjen" i iniciuar nga Qeveria shqiptare, me një financim deri në 2 milionë euro, synon të mbështesë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në rritjen e tyre. Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara. Qeveria është gati të ofrojë deri në 1 miliard euro mbështetje për bizneset e interesuara.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



