Prokurori Abazi: Rasti s’konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit për “Banjskën” të përballen me drejtësinë

Prokurori Abazi: Rasti s’konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit për “Banjskën” të përballen me drejtësinë

Prokurori Abazi: Rasti s’konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit për “Banjskën” të përballen me drejtësinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar vazhdimin e hetimeve dhe përpjekjeve për arrestimin e të gjithë të përfshirëve në sulmin në Banjskë, duke theksuar se aktgjykimi i shpallur është vetëm një pjesë e procesit, raporton Ekonomia Online.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, tha se vendimi ishte i pritshëm pas një pune të gjatë të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Siç e patë shpallja e gjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, është një aktgjykim i cili ka qenë edhe pritje e Prokurorisë Speciale pas një pune të madhe dhe të stëngarkuar nga ana e Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, departamenteve përkatëse të hetimit, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe të gjitha agjencive të tjera ligjzbatuese, po ashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët na kanë ndihmuar për ta zbardhur këtë rast me këtë gjykim”, tha ai.

Ai theksoi se rasti nuk konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit të përballen me drejtësinë.

“Prokuroria Speciale natyrisht që nuk do të ndalet me kaq. Ju e dini që për Prokurorinë Speciale ky rast është i mangët përderisa nuk është edhe pjesa tjetër e përfshirë në aktakuzë me krye të akuzuarin në këtë rast, Milan Radoičić, por që Prokuroria Speciale do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që të njëjtit të sillen para organeve të drejtësisë.

Ne realisht, siç e dini, javën e kaluar veçse kemi arrestuar njërin prej pjesëmarrësve i cili dyshohet në këtë rast në mënyrë direkte ose indirekte i përfshirë në këtë rast, por që edhe përpjekjet tona do të jenë maksimale që edhe pjesa tjetër që mendoj që nuk janë tashpërtash të kapshëm për organet e drejtësisë do të sillen shumë shpejt para organeve të drejtësisë. Një falënderim të posaçëm do të doja t’ju jepja edhe juve mediave për shkak se keni qenë vazhdimisht korrekt lidhur me raportimin për këtë rast sepse ky ka qenë një prej rasteve më komplekse që ka ndodhur pasluftës, me ç’rast rasti i tillë i cili ka pasur për pasojë vdekjen e policit në këtë rast, heroi Afrim Bunjaku, lëndimin e policëve të tjerë, terrorizimin e banorëve në atë pjesë si dhe tendenca e këtij grupi për me ndarë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, aktgjykimi dërgon një mesazh të qartë për të gjithë ata që synojnë të kryejnë vepra të tilla penale.

“Kjo realisht, domethënë ky aktgjykim i jep një mesazh shumë të qartë për të gjithë ata që synojnë të kryejnë vepra të tilla penale. Kjo është një gjë e rëndësishme sepse kjo do të kthejë një gjendje të sigurtisë në Republikën e Kosovës”, tha Abazi.