Në Graz promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999

Në Graz promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999

Në Graz të Austrisë do të promovohet libri i ish-ambasadorit shqiptar Zef Mazi, “Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, transmeton albinfo.ch.

Veprimtaria do të mbahet të premten, më 2 tetor 2026, nga ora 18:30, në sallën e aktiviteteve të Bibliotekës Shtetërore të Steiermarkut, në adresën Kalchberggasse 2, në Graz.

Libri trajton proceset diplomatike të viteve vendimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe zhvillimet që shoqëruan rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Sipas përshkrimit zyrtar të veprës, autori sjell dokumente, dëshmi dhe analiza mbi diplomacinë e asaj periudhe, me fokus të veçantë te roli i Shqipërisë në çështjen e Kosovës, mundësitë e veprimit të një shteti të vogël përballë një krize të madhe ndërkombëtare dhe raporti ndërmjet politikës dhe së drejtës ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet vendimmarrjeve diplomatike që zhvilloheshin shpesh larg vëmendjes publike, por që, sipas autorit, ndikuan në zhvillimet historike të asaj kohe. Mazi mbështetet në materiale arkivore dhe në përvojën e tij personale si diplomat dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i proceseve ndërkombëtare të viteve 1990.

Në kuadër të promovimit pritet të diskutohen edhe pyetje mbi rolin e Vjenës në hapjen e kanaleve diplomatike për Kosovën gjatë viteve ’90, kontributin e diplomatëve të Shqipërisë në internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në proceset që i paraprinë pavarësisë.

Zef Mazi ka shërbyer si ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike dhe OSBE-së, fillimisht nga viti 1992 deri më 1997 dhe më pas nga viti 2002 deri më 2007. Më vonë, nga viti 2007 deri më 2011, ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Promovimi organizohet në bashkëpunim nga Instituti Albanologjik në Graz, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”./Albinfo.ch

The post Në Graz promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.