Bebe Rexha hyn në histori, YouTube e veçon për debutimin në Tomorrowland

Këngëtarja shqiptaro-amerikane me famë botërore, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj, duke marrë një vlerësim të veçantë nga YouTube për debutimin në festivalin prestigjioz “Tomorrowland”, transmeton albinfo.ch.
Platforma e videove i ka kushtuar një postim në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, duke e cilësuar paraqitjen e Rexhës si një moment historik. Sipas YouTube, ajo është artistja e parë amerikane e muzikës pop që debuton në skenën e Tomorrowland, festivalit më të madh të muzikës elektronike që mbahet çdo vit në Belgjikë.
“Duke bërë histori në Belgjikë. Bebe Rexha bëhet ylli i parë amerikan i muzikës pop që debuton në Tomorrowland. Ndiqni premierën botërore LIVE në transmetimin e Freedom Stage”, thuhet në postimin e YouTube.
Ky vlerësim vjen si një tjetër dëshmi e ndikimit të artistes në skenën ndërkombëtare. Kanali zyrtar i Bebe Rexhës në YouTube numëron miliarda shikime dhe renditet ndër më të ndjekurit në mesin e artistëve shqiptaro-amerikanë.
Rexha pritet të performojë para mijëra adhuruesve të muzikës elektronike nga e gjithë bota, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj.
Artistja po kalon gjithashtu një periudhë të suksesshme si artiste e pavarur. Vetëm një muaj më parë ajo publikoi albumin “Dirty Blonde”, projektin e saj të parë pas përfundimit të bashkëpunimit me Warner Records, duke dëshmuar se mbetet një nga emrat më të spikatur të muzikës pop në skenën globale./Albinfo.ch
The post Bebe Rexha hyn në histori, YouTube e veçon për debutimin në Tomorrowland appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



