Roger Federer nuk është më miliarder, bie vlera e pasurisë pas rënies së aksioneve të On

Roger Federer nuk është më miliarder, bie vlera e pasurisë pas rënies së aksioneve të On

Roger Federer nuk konsiderohet më miliarder, pasi pasuria e tij ka pësuar një rënie të ndjeshme pas një rënieje të fortë të aksioneve të kompanisë zvicerane të veshjeve sportive On, transmeton albinfo.ch. 

Aksionet e On Holding pësuan rënie të konsiderueshme të martën, pasi kompania publikoi rezultatet financiare për tremujorin e dytë. On raportoi të ardhura neto prej 850.4 milionë frangash, që përfaqësojnë një rritje prej 13 për qind krahasuar me një vit më parë, por shifra ishte më e ulët se pritjet e analistëve prej 878.4 milionë frangash.

Federer, i cili u bë investitor dhe bashkëpronar i On në vitin 2019, zotëron rreth 2.5 për qind të kompanisë, sipas të dhënave të cituara nga Forbes.

Rënia e aksioneve ndikoi drejtpërdrejt edhe në vlerën e pasurisë së ish-tenistit zviceran. Sipas raportimeve, deri në orën 12:30 të së martës, pasuria e Federer kishte zbritur në rreth 952.4 milionë dollarë, ose afërsisht 773 milionë franga.

Kjo nënkupton një humbje prej të paktën 52 milionë dollarësh në vlerën e pasurisë së tij vetëm gjatë asaj dite. Disa vlerësime mediatike e vendosin humbjen edhe më lart, në rreth 80 milionë dollarë.

Federer humb statusin e miliarderit

Rënia e vlerës së aksioneve të On ka bërë që Federer të humbasë, të paktën për momentin, statusin e miliarderit.

Pavarësisht rënies së fundit, investimi në On ka qenë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme biznesore të Federer pas përfundimit të karrierës së tij profesionale në tenis. Marka zvicerane është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe Federer ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin e produkteve dhe imazhit të saj.

Rezultatet e fundit, megjithatë, treguan se rritja e kompanisë nuk ishte e mjaftueshme për të përmbushur pritjet e tregut, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm në bursë.

Federer, fitues i 20 titujve Grand Slam, mbetet një nga sportistët zviceranë më të suksesshëm edhe në aspektin biznesor, me investime dhe marrëveshje të shumta komerciale pas tërheqjes nga tenisi./Albinfo.ch 

The post Roger Federer nuk është më miliarder, bie vlera e pasurisë pas rënies së aksioneve të On appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.