Senati voton për buxhetin e përkohshëm, shmang mbylljen e pjesshme të qeverisë
Senati amerikan miratoi një buxhet të përkohshëm të premten në mbrëmje, duke shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë dhe duke tejkaluar kundërshtimin e demokratëve ndaj projektligjit. Projektligji u miratua me 54 vota pro dhe 46 kundër, pasi kapërceu një pengesë më të vështirë procedurale për të ndaluar debatin lidhur me të, për të cilën duheshin [...]Read More...

Senati amerikan miratoi një buxhet të përkohshëm të premten në mbrëmje, duke shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë dhe duke tejkaluar kundërshtimin e demokratëve ndaj projektligjit.
Projektligji u miratua me 54 vota pro dhe 46 kundër, pasi kapërceu një pengesë më të vështirë procedurale për të ndaluar debatin lidhur me të, për të cilën duheshin të paktën 60 vota.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët e miratoi projektligjin në fillim të kësaj jave duke respektuar një afat kohor për të mbajtur qeverinë të hapur, që skadonte më 14 mars.
Demokratët në Senat ishin të ndarë nëse do ta mbëshesnin apo jo buxhetin e përkohshëm që do të financonte qeverinë për gjashtë muajt e ardhshëm, do të reduktonte shpenzimet totale të qeverisë me rreth 7 miliardë dollarë nga nivelet e vitit të kaluar dhe do të kalonte fonde nga shpenzimet civile tek ato ushtarake.
Shumë demokratë u indinjuan ndaj kreut të pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i cili njoftoi të enjten në mbrëmje se megjithëse nuk i pëlqente projektligji, mbyllja ishte një “opsion shumë më i keq”.
Duke folur në Senat të premten në mëngjes, zoti Schumer tha se mosmiratimi i projektligjit republikan do të ndihmonte përpjekjet e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, përfshirë lidhur me agjencitë që do të mbylleshin.
“Mbyllja do t’i jepte mundësi DOGE-s të intensifikonte përpjekjet (për shkurtime),” tha ai.
Dhjetra demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët kundërshtuan projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve, i dërguan një letër Senatorit Schumer të premten, duke shprehur “kundërshtimin e tyre të fortë” ndaj planit të tij për të votuar pro projektligjit.
Ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u kërkoi demokratëve të Senatit të vepronin kundër udhëzimit të udhëheqësit të tyre.
Në një deklaratë të premtes, ajo u shpreh se “Amerika ka kaluar një mbyllje (të qeverisë) nën (Presidentin) Trump më parë – por ky legjislacion i dëmshëm, veçse e keqëson situatën”.
I pyetur nga gazetarët të premten, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries refuzoi të thoshte nëse mbështeste rolin udhëheqës të zotit Schumer.
Presidenti Trump i kishte bërë thirrje Kongresit të miratonte projektligjin për buxhetin dhe të premten e vlerësoi zotin Schumer për mbështetjen.
“Urime për Chuck Schumer i cili bëri gjënë e duhur – ai tregoi guxim!” shkruante ai në platformën “Truth Social”.
“E respektoj shumë atë që bëri sot Schumer. Ai doli hapur dhe tha se ata (demokratët) duhet të votojnë në krah të republikanëve sepse është gjëja e duhur,” tha zoti Trump gjatë një fjalimi në Departamentin e Drejtësisë.
Projektligjet për buxhetin kërkojnë një prag minimal prej 60 votash për t’u miratuar në Senat, që do të thotë se republikanët duhet të sigurojnë të paktën tetë vota demokrate.
Projektligji e kaloi këtë pengesë procedurale me votën 62-38. Disa ndryshime të propozuara për projektligjin dështuan, por njëri prej tyre që propozonte eliminimin e fondeve për DOGE-n u mbështet nga një republikane. Senatorja Lisa Murkowski e Alaskës ka qenë e hapur në kritikat e saj ndaj nismës së miliarderit Musk.
Zoti Schumer më herët kishte bërë thirrje që Senati të miratonte një version të mëparshëm të buxhetit të përkohshëm, për të cilin demokratët ishin përfshirë në negociata.
“Financimi i qeverisë duhet të jetë një përpjekje dypartiake. Por republikanët zgjodhën një rrugë partiake, duke hartuar variantin e tyre pa asnjë nga sugjerimet, asnjë nga sugjerimet e demokratëve të Kongresit,” tha zoti Schumer në Senat të mërkurën vonë.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të martën masën e shpenzimeve afatshkurtra me një votim 217-213. Një demokrat votoi pro projektligjit dhe një republikan kundër tij.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, i kapërceu kundërshtimet brenda Partisë së tij Republikane, duke siguruar miratimin e paketës së shpenzimeve.
Ai u tha gazetarëve të martën se buxheti shtatëmujor ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të agjendës së zotit Trump për të eliminuar shpërdorimet dhe abuzimet qeveritare përmes DOGE-s.
“Kjo na lejon të ecim përpara me reduktimin dhe kufizimet e qeverisë federale. Në Uashington po ndodh një ndryshim sizmik. Është një moment ndryshe nga ç’kemi parë ndonjëherë. Puna e DOGE-s po gjen mashtrime, shpërdorime dhe abuzim masiv”, tha zoti Johnson.
“Kemi një Shtëpi të Bardhë që është e përkushtuar për të na kthyer në një rrugë të përgjegjshme fiskale.”
Megjithatë vëzhguesit dhe analistët e pavarur thonë se DOGE po përdor pretendime të ekzagjeruara për mashtrime për të gjeneruar mbështetje për shkurtime në shkallë të gjerë në programet dhe zyrat federale.
Ligjvënësi Thomas Massie ishte i vetmi republikan që votoi kundër projektligjit, pavarësisht se zoti Trump bëri thirrje të hënën në mbrëmje në Truth Social që ai të humbiste vendin e tij nëse e bënte një gjë të tillë.
Buxheti i përkohshëm u jep ligjvënësve kohë për të arritur një kompromis mbi versionet e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të shpenzimeve të qeverisë për vitin e ardhshëm fiskal, i cili fillon në tetor, një mjet kyç për zbatimin e agjendës së politikës së brendshme të Presidentit Trump.
Çështja është se si dhe kur të miratohet një zgjatje e propozuar e afatit të shkurtimeve të taksave për vitin 2017 dhe si të paguhet deficiti i SHBA-së, pa shkurtuar programet kryesore që ndihmojnë votuesit amerikanë./voa