Serbia arreston dy gra për spiunazh, me pretendimin se jepnin informacione për AKI-në dhe Policinë e Kosovës

Serbia arreston dy gra për spiunazh, me pretendimin se jepnin informacione për AKI-në dhe Policinë e Kosovës

Autoritetet serbe kanë arrestuar dy gra nën dyshimin për spiunazh, duke pretenduar se ato kanë mbledhur dhe përcjellë informacione për shërbimet e inteligjencës të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas raportimit të mediumit serb “Blic”, njëra prej të arrestuarave është D.C., 46-vjeçare nga Shillova e Gjilanit, ndërsa e dyshuara tjetër, N.P., 50 vjeçe, është nga Jagodina e Serbisë. Ato janë arrestuar në një operacion të përbashkët të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA), Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe policisë në Vranjë e Jagodinë.

Mediumi serb ka publikuar edhe pamje që pretendohet se tregojnë momentin e arrestimit të D.C. Ajo shihet e ulur në një kafene, kur i afrohen zyrtarët policorë dhe i tregojnë dokumentet zyrtare. Sipas raportimit, asaj i është lejuar të marrë gjërat personale dhe më pas është dërguar për intervistim pa iu vendosur prangat.

Autoritetet serbe pretendojnë se dy gratë kanë mbledhur dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna konfidenciale për Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe njësitë e inteligjencës të Policisë së Kosovës.

Sipas pretendimeve të hetuesve serbë, në fokus të tyre kanë qenë informacione për pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe detaje lidhur me aktivitetin e tyre në terren.

Në banesën që përdorte N.P. në Jagodinë është kryer edhe një bastisje me urdhër të gjykatës. Autoritetet serbe pretendojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike dhe sende të tjera që dyshohet se mund të kenë lidhje me rastin.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.