Shala: “Defender Europe 25” afirmon rolin strategjik të Kosovës në sigurinë euroatlantike
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, për FrontOnline ka deklaruar se angazhimi i Kosovës në ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, ku për herë të parë Kosova është vend mikpritës, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në rrafshin ushtarak, diplomatik dhe strategjik. “Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ ka rëndësi të shumëfishtë, në rrafshin ushtarak

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, për FrontOnline ka deklaruar se angazhimi i Kosovës në ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, ku për herë të parë Kosova është vend mikpritës, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në rrafshin ushtarak, diplomatik dhe strategjik.
“Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ ka rëndësi të shumëfishtë, në rrafshin ushtarak, diplomatik dhe strategjik”, ka thënë Shala.
Ai ka theksuar se ky ushtrim, i udhëhequr nga Komanda Amerikane për Evropë (U.S. EUCOM), është një ndër më të mëdhenjtë në kontinent dhe përfshirja e FSK-së në të është një hap domethënës drejt afirmimit ndërkombëtar të saj.
“Ky ushtrim, i udhëhequr nga Komanda Amerikane për Evropë (U.S. EUCOM), është një nga më të mëdhenjtë në kontinent dhe përfshirja e FSK-së konfirmon përkushtimin e saj ndaj standardeve të NATO-s. Kjo është një dëshmi se Kosova tashmë shihet si partner serioz në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Ushtrimi rrit kredibilitetin dhe legjitimitetin ndërkombëtar të FSK-së, duke e paraqitur si forcë që kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka deklaruar Shala për FrontOnline.
Duke u ndalur në përfitimet strategjike të pjesëmarrjes në këtë ushtrim, Shala ka shtuar se Kosova përfiton nga përforcimi i pozitës së saj si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Ndërtimi i kapaciteteve: Ushtrimi ndihmon në avancimin e doktrinës ushtarake, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërveprueshmërisë (interoperability) me ushtritë partnere. Siguria rajonale: Kosova përfiton nga përforcimi i pozitës së saj si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Mesazh ndaj aktorëve destabilizues: Pjesëmarrja në ‘Defender’ është një sinjal i qartë ndaj atyre që synojnë destabilizimin e Kosovës – se ajo gëzon mbështetje dhe aleancë me SHBA dhe partnerët e NATO-s.”
Në aspektin politik, Shala ka potencuar rëndësinë që ky angazhim ka për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Rritje e profilit ndërkombëtar: Kjo pjesëmarrje rrit kapacitetin lobues të Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë, si ‘Partnership for Peace’ dhe eventualisht NATO. Rritje e besueshmërisë për aleatët: Kosova dëshmon se është e gatshme të marrë përgjegjësi të përbashkëta në sistemin ndërkombëtar të sigurisë.” tha ai për FrontOnline
Në përmbyllje, Shala ka theksuar se në ‘Defender Europe 2025’ është një hap tjetër i rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektivitetit ushtarak dhe politik të Kosovës.
“Në thelb, pjesëmarrja në ‘Defender Europe 2025’ është një hap tjetër i rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektivitetit ushtarak dhe politik të Kosovës në sistemin global të sigurisë.”