Shasivari: Forcimi i partneritetit me Këshillin e Evropës në fushat kyçe të gjyqësorit

Shasivari: Forcimi i partneritetit me Këshillin e Evropës në fushat kyçe të gjyqësorit

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me udhëheqësin e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup, Oleg Soldatov.

Në fokus të këtij takimi ishte vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe përcaktimi i hapave konkretë për mbështetjen e mëtutjeshme të reformave në sistemin e drejtësisë.

Gjatë bashkëbisedimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar partneritetin intensiv në disa fusha me interes strategjik për Ministrinë e Drejtësisë:
Ndihma juridike falas – Lehtësimi i qasjes në drejtësi për kategoritë e ndjeshme shoqërore.

Sistemi penitenciar – Forcimi i kapaciteteve menaxhuese dhe përmirësimi i kushteve në burgje.

Liria e shprehjes dhe mediat – Mbrojtja e standardeve demokratike të gazetarisë.

Lufta kundër diskriminimit – Parandalimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së intolerancës.
Ministri Shasivari nënlineoi se mbështetja e Këshillit të Evropës mbetet shtyllë e rëndësishme për avancimin e reformave strukturore dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.
Sipas tij, vetëm përmes një qasjeje të koordinuar dhe përkushtimi të përbashkët do të arrihen rezultate konkrete që prekin drejtpërdrejt përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.