SHBA kufizon vizat për zyrtarët e huaj/ ‘Ata që minojnë të drejtat e amerikanëve s’do të lejohen në vendin tonë’
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, ka njoftuar një politikë të re kufizuese për dhënien e vizave ndaj zyrtarëve dhe individëve të huaj që, sipas tij, janë të përfshirë në censurimin e të drejtave të fjalës së lirë të qytetarëve amerikanë. Sipas njoftimit zyrtar, pas kufizimeve të aplikuara më herët [...]Read More...

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, ka njoftuar një politikë të re kufizuese për dhënien e vizave ndaj zyrtarëve dhe individëve të huaj që, sipas tij, janë të përfshirë në censurimin e të drejtave të fjalës së lirë të qytetarëve amerikanë.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kufizimeve të aplikuara më herët ndaj studentëve të huaj, tashmë në shënjestër janë zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e huaj që ndihmojnë në cenimin e lirisë së shprehjes së amerikanëve.
“Për një kohë të gjatë, amerikanët janë gjobitur, ngacmuar, madje edhe akuzuar nga autoritetet e huaja për ushtrimin e të drejtave të tyre të fjalës së lirë,” u shpreh Rubio.
Ai shtoi se kjo politikë e re do të ndalojë hyrjen në SHBA të personave që punojnë për të minuar këto të drejta themelore.
“Fjala e lirë është thelbësore për mënyrën amerikane të jetesës – një e drejtë lindjeje mbi të cilën qeveritë e huaja nuk kanë autoritet. Të huajt që punojnë për të minuar të drejtat e amerikanëve nuk duhet të gëzojnë privilegjin e udhëtimit drejt vendit tonë,” theksoi ai.
Rubio shtoi se politika e re do të zbatohet globalisht, përfshirë Amerikën Latine, Evropën dhe vende të tjera, duke paralajmëruar se “ditët e trajtimit pasiv kanë marrë fund”.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SHBA po rishikon qasjen e saj ndaj ndikimit të huaj në çështjet e brendshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për liritë civile dhe të drejtat themelore të njeriut.
/ abcnews.al