Shifra marramendëse për festën e pavarësisë: 5.53 milionë euro, ja kush i financoi

Festimet me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut kanë kushtuar rreth 5.53 milionë euro, ose 340 milionë denarë, konfirmoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva përcjell INA.
Sipas saj, 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore për vitin 2024, ndërsa rreth 40 milionë denarë janë siguruar përmes donacioneve nga kompani private.
Qeveria këmbëngul se nuk është shpenzuar asnjë mjet direkt nga Buxheti i shtetit dhe se festimet nuk i kanë kushtuar qytetarëve.
Por pikërisht mënyra e financimit ka nxitur debat në opinion: opozita dhe kritikët i konsiderojnë fondet e Lotarisë si para publike, ndërsa Qeveria argumenton se ato nuk janë marrë nga buxheti.
Miteva tha se organizimi ka qenë transparent dhe se rreth 95 për qind e programit përbëhej nga artistë dhe përmbajtje vendore, ndërsa performanca e yllit ndërkombëtar David Guetta ishte një nga pjesët kulmore të programit.
Në konferencën për media, drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, prezantoi bazën ligjore dhe vendimet përmes të cilave janë siguruar mjetet për organizimin e festimeve./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



