SRF shkruan për aktgjykimin e Hagës dhe për “sfondin zviceran” të procesit

SRF shkruan për aktgjykimin e Hagës dhe për “sfondin zviceran” të procesit

Aktgjykimi i shqiptuar sot nga Gjykata Speciale për Krimet e luftës në Kosovë kundër katër ish krerëve të lartë të UÇK, ka qenë sot ndër lajmet kryesore edhe në mediat në gjuhën gjermane, në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

Për shkak të rrethanave të krijimit të UÇK-së që prekin edhe Zvicrën, për shkak të faktit se i dënuari kryesor, Hashim Thaçi ka jetuar një kohë si i strehuar politik në Zvciër si dhe për shkak të zviceranit Dick Marty, raporti i të cilit ka shërbyer si bazë për akuzat kundër UÇK-së, mediat zvicerane i kushtojnë më shumë vëmendje edhe këtij segmenti, transmeton albinfo.ch.

Kështu, transmetuesi publik i Zvicrës, SRF në një tekst të zgjeruar veç tjerash shkruan “Hetimet para gjykatës speciale bazohen në një raport të vitit 2010 të Dick Marty-t, raportuesit special zviceran për Këshillin e Evropës. Marty e akuzonte Thaçin se drejtonte një grup të ngjashëm me mafian, i cili organizonte rrëmbime, trafikim droge dhe marrjen e organeve nga të burgosurit, ndërkohë që mbante fonde në llogari zvicerane.

Raporti çoi në themelimin e gjykatës speciale dhe në dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2020. Marty ishte nën mbrojtjen e policisë që nga dhjetori i vitit 2020 dhe ndërroi jetë më 28 dhjetor 2023, transmeton albinfo.ch. Si Marty, ashtu edhe Amnesty Zvicër, kritikuan Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA) dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për ndërhyrje tepër të vonuar në këtë çështje.

Në vazhdim srf shkruan se Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte të kryera në vitet 1990 nga gjykata speciale për krimet e luftës në Kosovë. Thaçi, 58-vjeçar, u dënua me 25 vjet burgim.

Ai akuzohej për vepra penale që përfshinin vrasjen dhe torturën, të kryera në cilësinë e tij si komandant suprem i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe tre të bashkakuzuar të tjerë ishin pjesë e udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila dyshohet se ka kryer krime kundër njerëzimit. Gjykata deklaroi se Thaçi kishte marrë pjesë aktive në krime dhe i kishte mbështetur ato. Thaçi, i cili i kishte mohuar të gjitha akuzat, e dëgjoi vendimin në heshtje.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të UÇK-së ka vazhduar në gjykatën speciale për Kosovën që nga prilli i vitit 2023. Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 45 vjet burg për Thaçin lidhur me krimet e luftës, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pafajësinë. Gjatë gjyqit dëshmuan afro 300 dëshmitarë dhe në procedurë morën pjesë 155 viktima.

Vendimi shkakton kritika në Kosovë

Vendimi u prit me protesta të ashpra në Kosovë. Në kryeqytet, Prishtinë – ku mijëra njerëz e ndoqën vendimin në ekrane të mëdha – pati thirrje kundërshtuese dhe brohoritje në mbështetje të Thaçit. Mbështetës që mbanin flamuj të UÇK-së u mblodhën gjithashtu jashtë ndërtesës së gjykatës në Hagë.

Shumë shqiptarë të Kosovës e konsiderojnë Thaçin si hero, ndërsa gjykata speciale përballet me kundërshtim të gjerë brenda vendit, pëcjell albinfo.ch. Pasojat e konfliktit të viteve 1998–1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 vazhdojnë të nxisin tensione midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve.

The post SRF shkruan për aktgjykimin e Hagës dhe për “sfondin zviceran” të procesit appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.