Shkupi shkëlqen në Evropë: Aeroporti Ndërkombëtar shpallet më i miri për përvojën e udhëtarëve

Shkupi shkëlqen në Evropë: Aeroporti Ndërkombëtar shpallet më i miri për përvojën e udhëtarëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i menaxhuar nga TAV Maqedoni, është nderuar zyrtarisht me çmimin prestigjioz ASQ (Airport Service Quality) për vitin 2025, në kategorinë “Përvoja më e këndshme aeroportuale në Evropë”.

Çmimi, i cili ndahet nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI World), u dorëzua më 2 shtator në Stamboll, gjatë Samitit Global për Përvojën e Udhëtarëve të ACI-së.

Ky është çmimi i 11-të ASQ për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Vlerësimi bazohet drejtpërdrejt në përshtypjet dhe vlerësimet e udhëtarëve për cilësinë e shërbimeve, përfshirë check-in-in, kontrollet e sigurisë, orientimin dhe sinjalistikën, komoditetin dhe pastërtinë e terminalit, si dhe përvojën e përgjithshme.

“Është një arritje e jashtëzakonshme dhe një krenari e madhe për TAV Maqedoninë. Ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë sepse vjen drejtpërdrejt nga udhëtarët tanë dhe pasqyron besimin e tyre në shërbimet që ofrojmë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.

Aeroporti i Shkupit u vlerësua së bashku me edhe tre aeroporte të tjera të menaxhuara nga TAV Airports – Ankaraja Esenboğa, Izmiri Adnan Menderes dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tbilisit.

TAV Airports theksoi se çmimet ASQ janë ndër vlerësimet më prestigjioze në industrinë e aviacionit dhe se rezultatet pasqyrojnë angazhimin për përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së udhëtarëve.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.