Shoqata “Atdheu” në Thun festoi ditën e Pavarësisë së Kosovës

Të pranishëm në këtë eveniment ishin edhe Ambasadori i Kosovës, z. Mentor Latifi dhe Këshilltarja nga Ambasada e Shqipërisë, zonja Monika Zgura The post Shoqata “Atdheu” në Thun festoi ditën e Pavarësisë së Kosovës appeared first on Albinfo.

Shoqata “Atdheu” në Thun festoi ditën e Pavarësisë së Kosovës

Të shtunën në mbrëmje Shoqata Kulturore Shqiptare „Atdheu“, kishte zgjedhur të festonte përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke i ofruar publikut shqiptar një spektakël me këngë e valle shqiptare.

Të pranishëm në këtë aktivitet të Shoqatës „Atdheu“, ishin Ambasadori i Kosovës, z. Mentor Latifi dhe Këshilltarja nga Ambasada e Shqipërisë, zonja Monika Zgura të cilët  zgjuan kureshtjen e publikut, me mesazhet e tyre.

Xhemshir Zenuni, kryetar i Shoqatës „Atdheu“, hapi këtë eveniment duke i uruar mirëseardhje publikut si dhe dy mysafirëve specialë që kishin nderuar me prezencën e tyre.

„Mirë se keni ardhur sot që së bashku të festojmë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Lirinë që sot e gëzojmë, duhet ta çmojmë dhe të jemi mirënjohës për intelektualët dhe patriotët e kombit shqiptar. Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, me vizionin e tij politik, vuri themelet e unitetit dhe funksionalitetit të shtetit tonë“ – theksoi Zenuni.

Zenuni, rikujtoi se pa sakrificën e luftëtarëve shqiptarë, kjo ditë do të ishte e largët. Në këtë kontekst mes tjerash tha se “sot shënojmë 26 vjet liri dhe 17 vjet pavarësi, të cilat janë arritur falë brezave të tërë luftëtarësh, heronjsh dhe dëshmorësh, që sakrifikuan jetën për këtë ditë. Lufta e fundit në Kosovë ishte faza përfundimtare e çlirimit nga okupatori serb. Kjo liri është meritë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me Komandantin Legjendar, Adem Jasharin në krye“ –  veçoi në fund të fjalimit kryetari Xhemshir Zenuni, duke i lënë vend në skenë, valltarëve dhe jehonës së këngës shqipe.

Ambasadori i Kosovës Mentor Latfi, të cilit iu dha fjala pas një numri vallesh nga valltaret e reja, foli rreth rëndësisë për të qenë të bashkuar në një kohë turbullirash dhe vlerësoi punën e shqiptarëve për të ruajtur dhe kultivuar vlerat shqiptare.

„Ju falënderoj që sot keni ardhur këtu, për të kujtuar dhe festuar këtë festë të rrëndësishme. Për të mos u zgjatur shumë, dua thjesht të rikujtoj të gjithë ata që kontribuuan për ta sjellë Kosovën, në këtë ditë ku jemi sot. Duke marrë parasysh këtë që po ndodh sot, mendoj që arritja e formimit të shtetit të Kosovës, është nga më të mëdhatë. Ndoshta në rrethana tjera, nuk do të kishte ndodhur kjo“ -theksoi mes tjerash Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi.

Ndërsa Monika Zgura, Këshilltare në Ambasadën Shqiptare, pasi përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi lartë punën e mësuesve me të cilët bashkëpunonte ngushtë, theksoi dhe rëndësinë e të qenit bashkë si shqiptarë për të arritur qëllimet kombëtare.

„Është nder për mua të jem sot në këtë sallë bashkë me ju, me artistet, balerinat e mrekullueshme të cilat dhanë një shfaqje shumë të bukur“ – nënvizoi, zonja Zgura, duke kujtuar se „17 shkurti mbetet një datë e shënuar e Kosovës sonë. Është shumë mirë kur mblidhemi bashkë për të shënuar, ndodhitë e trevave tona shqiptare dhe kështu të bashkuar të ju dërgojmë një mesazh të fuqishëm brezave të ardhshëm“ – theksoi në fund të fjalimit, Monika Zgura, këshilltare në Ambasadën Shqiptare në Bernë.

Çastet e festës, vetëm sa po fillonin. Kënga dhe vallet zunë vendin e tyre në sallë, ndërsa publiku u bashkua në këtë festë të madhe të pavarësisë së shtetit të Kosovës me shpresë se festa pavarësisë do vazhdoj të shënohet edhe për shumë vite të tjera.

 

 

 

 

The post Shoqata “Atdheu” në Thun festoi ditën e Pavarësisë së Kosovës appeared first on Albinfo.