Shpenzimet ushtarake dyfishohen – Oficerët zviceranë kërkojnë më shumë

Ndërsa shumë vende evropiane po rrisin ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes, Zvicra planifikon të dyfishojë shpenzimet vjetore ushtarake në rreth 10 miliardë franga deri në vitin 2032. Por për Shoqatën e Oficerëve të Njësive të Blinduar, kjo është shumë pak. Sipas dokumentit, tanket janë ende mjeti i vetëm efektiv për të sulmuar armikun dhe për të […] The post Shpenzimet ushtarake dyfishohen – Oficerët zviceranë kërkojnë më shumë appeared first on Albinfo.

Shpenzimet ushtarake dyfishohen – Oficerët zviceranë kërkojnë më shumë

Ndërsa shumë vende evropiane po rrisin ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes, Zvicra planifikon të dyfishojë shpenzimet vjetore ushtarake në rreth 10 miliardë franga deri në vitin 2032. Por për Shoqatën e Oficerëve të Njësive të Blinduar, kjo është shumë pak.

Sipas dokumentit, tanket janë ende mjeti i vetëm efektiv për të sulmuar armikun dhe për të rimarrë territorin. Prandaj, 71 tanket Leopard të çaktivizuara duhet të kthehen urgjentisht në shërbim, ndërkohë që kërkohet edhe blerja e 330 automjeteve të reja luftarake të këmbësorisë.

Presidenti i Shoqatës, Erich Muff, shprehet:

“Jemi thellësisht të shqetësuar që nuk jemi të përgatitur për mbrojtje për shkak të mungesës së investimeve politike.”

Shoqata kërkon gjithashtu rritjen e efektivit ushtarak nga 147 mijë në 250 mijë ushtarë. Sipas Muff, për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm në rast lufte, duhet të përgatiten edhe 100 mijë ushtarë shtesë, transmeton albinfo.ch.

Në total, ushtria ka nevojë urgjente për 100 miliardë franga investime – dyfishin e shumës që qeveria federale dhe Parlamenti planifikojnë të shpenzojnë në vitet e ardhshme.

Mbështetje dhe kritika nga politika

Presidenti i Shoqatës së Oficerëve Zviceranë, Michele Moor, e mbështet drejtimin e kërkesave. Ai e konsideron kërkesën për 100 miliardë jo joreale, duke theksuar se vendet fqinje po investojnë deri në 3 për qind të PBB-së, ndërsa Zvicra ende debaton për të arritur 1 për qind.

Megjithatë, Priska Seiler Graf nga Partia Socialdemokrate, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Sigurisë, i quan kërkesat krejtësisht jorealiste dhe financiarisht të papërballueshme.

Ndërkohë, politikani liberal-radikal Josef Dittli e përshëndet dokumentin, por thekson se shifra prej 100 miliardë frangash është e ekzagjeruar. Ai kërkon më shumë investime për forcat e motorizuara, por vendimmarrja duhet t’i lihet Këshillit Federal.

Në fund mbetet për t’u parë se si do të reagojë Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria në dritën e këtyre kërkesave të forta për forcim të mbrojtjes kombëtare.

The post Shpenzimet ushtarake dyfishohen – Oficerët zviceranë kërkojnë më shumë appeared first on Albinfo.